Vllaznia konsolidon kryesimin / Kuqeblutë mundin edhe Teutën në Durrës, 3 pikë para ndjekësve
Mes Supërligës dhe Kupës së Shqipërisë, Vllaznia ka marrë fitoren e gjashtë radhazi, prej të cilave 5 në garën për titullin kampion.
Tre pikët e radhës erdhën në Durrës, përballë Teutës, e cila ishte e etur për fitore, e cila i mungon tashmë prej 9 javësh.
Fitorja e Vllaznisë mban firmën e Esat Mala, i cili në minutën e 9-të godet me saktësi brenda zonës, duke dërguar topin në rrjetë.
Vllaznia është e qartë, e mirëvendosur në çdo repart, mbi të gjitha në mbrojtje, ku mungesa e Elmando Gjinit, nuk u ndje tek kuqeblutë.
Me këtë rezultat mbaroi pjesa e parë, ndërsa e dyta ishte administrim i lojës, duke mos rrezikuar të pësohet gol.
Ndeshja me Teutën, shënoi edhe rikthimin në fushën e blertë për kuqeblutë të Kevin Dodaj, i cili do të aktivizohet për pjesën e mbetur të sezonit.
Ai zëvendësoi Qaton e dëmtuar, duke dhënë kontribut sidomos në aspektin difensiv. Vlen të theksohet se sërish Vllaznia nuk pësoi gol, duke treguar stabilitet në mbrojtje.
Me fitoren në Durrës, Vllaznia ka 42 pikë, 3 më shumë se ndjekësit e Egnatias dhe Elbasanit, ndërsa sfida e radhës në fushën e Vorës, në letër nuk është aspak e lehtë.
