Vllaznia, kampione në atletikë / Atletët shkodranë shkruajnë një tjetër faqe të artë në histori

vllaznia kampione

Ekipi i atletikës së Vllaznisë vazhdon të shkruajë historinë në sportin shqiptar.

Në Kampionatin e 87-të Kombëtar për të rritur, të zhvilluar së fundmi, atletët shkodranë u shpallën kampionë të Shqipërisë, duke siguruar titullin e 29-të në histori dhe të 17-in radhazi, një rekord dominues që pasqyron traditën, talentin dhe përkushtimin që mbart ky ekip.

Me 205 pikë të grumbulluara, Vllaznia u konfirmua si skuadra më e fortë në vend, me paraqitje mbresëlënëse nga atletë të njohur dhe të rinj premtues.

 Franko Burraj shkëlqeu duke vendosur rekord të ri kombëtar në garën 200 metra (21.03 sekonda), ndërsa u shpall edhe sportisti më i mirë i kampionatit.

Performanca e tij vulosi dominimin e Vllaznisë në sprint.

Pjesë e rëndësishme e suksesit ishin edhe atletë të tjerë si: Leandro Çardaku, Sidrit Kopliku, Muhamet Çangeli, Erisa Rrasa, Kolindo Kiri të cilët kontribuan me rezultate të larta në disiplinat e tyre përkatëse.

 Gjithashtu, stafetat 4x100m dhe 4x400m sollën emocione të mëdha dhe fitore të rëndësishme për ekipin kuqeblu.

Ky sukses u përshëndet edhe nga Kryebashkiaku Beci përmes një statusi në Facebook. Titulli në atletikë nuk do të ishte i mundur pa përkushtimin e trajnerëve Albert Marashi, Bruno Rrotani, Dorjan Tafa dhe Jetmir Jahaj, të cilët kanë ndërtuar një bazë të fortë për arritje të qëndrueshme dhe afatgjata në atletikën shqiptare.