Vllaznia dominon fazën e parë / Kampionati i vajzave mbyll gjysmën e parë, ndërsa shkodranet kryesojnë

vllazni goca

Kampionati i futbollit për vajza “Kategoria Superiore” ka mbyllur me sukses fazën e parë të edicionit 2025/2026, duke dhuruar ndeshje të luftuara, ritëm të lartë loje dhe një spektakël të vërtetë golash.

 Në total, 9 skuadrat pjesëmarrëse kanë realizuar 254 gola, një tregues i qartë i nivelit konkurrues dhe cilësisë në rritje të këtij kampionati.

Sa i përket renditjes për golat e shënuar, Vllaznia kryeson bindshëm si skuadra më efikase në fazën e parë, me 59 gola të realizuar.

Shkodranet ndiqen nga Gramshi me 54 gola, ndërsa në vendin e tretë renditet Apolonia me 45 gola. Më pas vijnë Teuta me 34 gola, Egnatia me 23, Partizani me 19, Kinostudio me 10, Atletik Klub me 5 gola, ndërsa Lushnja ka realizuar 1 gol.

Në plan individual, lista e golashënueseve kryesohet nga sulmuesja e Vllaznisë, Megi Doçi, e cila ka shënuar plot 24 gola, duke konfirmuar formën e saj të shkëlqyer.

 Pas saj renditet futbollistja e Gramshit, Maria Julia Garcia Davila, me 11 gola, ndërsa podiumi plotësohet nga lojtarja e Apolonisë, Nicole Ndjock Pouhe, me 10 gola të realizuar.

Faza e parë e kampionatit mbyllet me sinjale pozitive për futbollin e vajzave në Shqipëri, ndërsa pritet që faza e dytë të sjellë rivalitet edhe më të fortë dhe emocione të reja për tifozët.