Vllaznia aktive në merkato – Repaj dhe Mensah të pranishëm në stërvitjen e fundit të këtij viti

vllaznia aktive

Vllaznia ka mbyllur përgatitjet për vitin 2024. Skuadra kuqeblu ka zhvilluar stërvitjen e fundit, edhe me dy lojtarë të rinj  si Serjan Repaj dhe sulmuesi Alfred Mensah.

Pavarësisht se ka të bllokuar transferimet e futbollistëve nga FIFA për shkak të detyrimeve të prapambetura ndaj lojtarëve dhe ish-lojtarëve, Vllaznia eshte  shfaqur aktive në merkato.

 Serjan Repaj është afruar tek shkodranët pas një eksperience disa vjeçare tek Apolonia e Fierit. Repaj është produkt i akademisë së Vllaznisë, prandaj ky afrim është një rikthim në shtëpinë e tij.

Ndërsa, për sulmuesin Mensah, ky është një rikthim në Superligë, pasi në pjesën e parë të sezonit ai u aktivizua tek skuadra e Ballkanit në Superligën e Kosovës.

Sa i përket stërvitjes, mësohet se kuqeblutë do të nisin shumë  shpejt përgaditjet.  

Më 2 janar pasdite, futbollistët do të jenë sërish në ambientet e stadiumit “Loro Boriçi” për të zhvilluar seancën e parë.

Ndeshja e parë për vitin e ardhshëm do të jetë më 10 janar dhe bëhet fjalë pikërisht për “Klasiken” ndaj Tiranës, e cila është planifikuar të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.