Viti i Ri 2026- Policia në gatishmëri, raportohen 21 të lënduar nga fishekzjarrët dhe një “plumb qorr”
Ndërsa qytetarët festonin ndërrimin e viteve, Policia e Shtetit ka qenë në gatishmëri të plotë në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë rrugore.
Drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda, inspektoi personalisht shërbimet në kryeqytet, duke bërë thirrje për “zero tolerancë” ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Gjatë vizitës në Sallën e Komandimit të DVP Tiranë dhe takimit me patrullat rrugore, Drejtues Madhor Ilir Proda vlerësoi sakrificën e uniformave blu që ishin në detyrë gjatë festës.
Ai kërkoi nga efektivët profesionalizëm dhe etikë, duke vënë theksin te rreziku i alkoolit në timon.
“Çdo kontroll nuk ka për qëllim ndëshkimin, por shpëtimin e jetëve. Reagimi në kohë dhe koordinimi i saktë me terrenin janë vendimtarë,” u shpreh Proda gjatë inspektimit rreth mesnatës.
Bilanci i lëndimeve, Tirana me numrin më të lartë
Pavarësisht thirrjeve për kujdes, përdorimi i mjeteve piroteknike ka shkaktuar sërish të lënduar. Deri në orën 01:30 të mëngjesit të datës 1 janar, në shkallë vendi janë raportuar 21 shtetas të lënduar nga fishekzjarrët, fatmirësisht të gjithë jashtë rrezikut për jetën (16 raste në Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Lezhë, 1 në Fushë-Arrëz dhe 1 në Korçë).
Ngjarja më specifike e shënuar gjatë natës ka ndodhur në Vaqarr, ku një e mitur 13-vjeçare ka pësuar një gërvishtje në parakrah. Dyshimet paraprake të policisë anojnë drejt një “plumbi qorr”, fenomen ky që mbetet shqetësues gjatë festimeve me të shtëna në ajër.
Vajza ka marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut. Policia e Shtetit konfirmon se shërbimet do të vijojnë të mbeten në gatishmëri të plotë gjatë gjithë ditës së sotme për të monitoruar qarkullimin rrugor dhe ambientet ku vijojnë festimet.
