Vigjilja e Krishtlindjes në Katedralen e Shkodrës / Arqipeshkvi, Peragine: Krishtlindja duhet të ndriçojë shpirtin e njeriut
Në një atmosferë festive dhe me praninë e qindra besimtarëve katolikë, u mbajt mesha e natës së Krishtlindjes në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër.
Kjo ceremoni e shenjtë u udhëhoq nga Arqipeshkvi i Shkodër-Pultit, Giovanni Peragine, duke shënuar meshën e parë të Krishtlindjes nën drejtimin e tij pas emërimit në krye të Arqipeshkvisë.
Gjatë predikimit, Arqipeshkvi Peragine theksoi se kjo festë e madhe e krishterë nuk duhet të kufizohet vetëm në ndriçimin dhe dekorimet e jashtme, por duhet të përjetohet thellë në shpirt dhe të shoqërohet me vepra të mira dhe përmirësim të vazhdueshëm personal.
Ai u bëri thirrje besimtarëve që të jenë një shembull pozitiv në shoqërinë e sotme, e cila, sipas tij, përballet jo vetëm me varfëri materiale, por edhe me sfida morale.
Mesha e vigjiljes së Krishtlindjes, e mbajtur mbrëmjen e së mërkurës, u shoqërua edhe me një spektakël fishekzjarresh, i cili u ndoq nga shumë besimtarë të mbledhur në sheshin përpara Katedrales “Shën Shtjefni”, duke i dhënë festës një atmosferë të veçantë gëzimi dhe shprese.
