Veriu përballet me reshje të forta dhe vështirësi në qarkullim, borëpastrueset në terren
Reshjet e dendura të shiut dhe dëborës kanë shkaktuar vështirësi në disa zona të veriut të Shqipërisë. Në bashkinë Shkodër, si pasojë e reshjeve është regjistruar shembje e rrugës në aksin Ura e Shtrejtë–Prekal, në vendin e quajtur “Shkallë Logje”.
Aksi është bllokuar dhe po punohet për vlerësimin e dëmit dhe rikthimin e qarkullimit. Borepastrueset kanë punuar gjatë gjithë natës për të mbajtur të hapur aksin Qafë Thore–Theth.
Në bashkinë Malësi e Madhe, reshjet kanë pushuar, ndërsa 3 borëpastruese vazhdojnë të punojnë në aksin Tamarë–Vermosh për të siguruar kalueshmërinë për shkak të ngricave.
Në bashkinë Vau i Dejës, reshjet e shiut kanë pushuar, por disa zona kanë patur ndërprerje energjie. Grupet e punës janë në terren.
Në bashkinë Fushë-Arrëz, reshjet e shiut vijojnë me intensitet të lartë dhe ka rënie gurësh dhe dherash në rrugët rurale, megjithatë qarkullimi kryhet pa probleme.
Në bashkinë Pukë, reshjet dhe era e fortë vazhdojnë, por momentalisht nuk raportohet për probleme.
Sipas të dhënave nga DRUK Lezhë, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar rreth 85 mm reshje shiu. Nuk ka probleme në kanalet kulluese, argjinatura apo digën e Rezervuarit të Shkodrës, dhe nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir, Gjadër dhe Rezervuarit të Shkodrës janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Hidrovoret e Velipojës janë në funksion të plotë dhe në gadishmëri për të punuar nëse nevojitet.
