Vengu në panairin “Paris Air Show 2025”: Shqipëria drejt modernizimit të industrisë ushtarake

Vengu në panairin

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Ajrit “Paris Air Show 2025”, një nga ngjarjet më prestigjioze globale që ekspozon teknologjitë më të fundit ushtarake dhe civile.

Në një kohë kur qeveria shqiptare ka ndërmarrë hapa konkretë për rimëkëmbjen e industrisë ushtarake vendase, ministri theksoi tre shtyllat kryesore të këtij vizioni.

“Industria ushtarake vendase, pajisja me mjete dhe sisteme me përdorim të dyfishtë – civil dhe ushtarak – dhe kualifikimi i efektivëve tanë në përdorimin e tyre, përbëjnë tre akse të modernizimit të Forcave tona të Armatosura. Pata mundësinë të njihem nga afër me teknologjitë dhe mjetet që ofrojnë disa prej kompanive më prestigjioze në botë si: Anduril Systems, Thales Group, Airbus, MBDA, EDGE Group, KNDS, Saab AB dhe Safran,” u shpreh Vengu.

Panairi mbahet nga 16 deri më 22 qershor në Le Bourget të Parisit dhe përmbledh rreth 2,500 ekspozues nga 48 vende, 300 startup-e dhe 150 avionë në ekspozitë.

Ngjarja shërben si një platformë globale për të shfaqur përparime të reja në teknologjitë e hapësirës, mbrojtjes dhe aviacionit civil, duke mbledhur aktorët kryesorë të sektorit ajror dhe hapësinor.