Vengu: Bashkitë, fronti i parë në emergjenca. Së shpejti nis prodhimi i mjeteve moderne për ndërhyrje
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, zhvilloi sot një inspektim në Bazën e Mbështetjes për Emergjencat Civile, ku paralajmëroi masa të reja për përforcimin e kapaciteteve në përballimin e situatave të rrezikshme, veçanërisht në sezonin e zjarreve.
Ministri Vengu theksoi se synimi kryesor është fuqizimi i bashkive, që ato të jenë fronti i parë i ndërhyrjes, ndërsa pas ezaurimit të kapaciteteve të tyre, forcat e Emergjencave Civile do t’u vijnë në ndihmë.
“Synojmë të fuqizojmë bashkitë si front të parë, si dhe qendrat rajonale që do të themelohen në Finiq e Bushat, në mënyrë që Forca e Armatosura dhe ‘BMEC’ të jenë reaguesi i fundit, në rast ezaurimi të kapaciteteve. Kjo ndarje më e mirë e detyrave dhe përgjegjësive do të rrisë efikasitetin e ndërhyrjeve”, u shpreh ministri.
Ai njoftoi se brenda muajit gusht do të nisë prodhimi i mjeteve më moderne për ndërhyrje emergjente nga kompania shtetërore e prodhimit të mjeteve ushtarake.
Sipas Vengut, qëllimi është të krijohet një flotë më e specializuar për ndërhyrje të shpejtë dhe efikase, në zona të ndryshme, jo vetëm urbane.
Në vijim, Vengu bëri të ditur se do të krijohen dy drejtoritë e para rajonale të emergjencave, në Finiq dhe Bushat, për të përmirësuar koordinimin dhe reagimin në terren.
Ministri theksoi se do të jetë një sezon i vështirë, siç tregojnë analizat meteorologjike, ndaj kërkoi që gatishmëria të jetë maksimale.
“Kërkohet ekspertiza e ekipeve të emergjencave civile në bashki, në mënyrë që të gjenerojnë kapacitete dhe të specializohen për fatkeqësi natyrore të ndryshme”, tha ai.
