Vendimi i GJKKO-së pezullimin e zv.kryeministres/ Kushtetuesja seancë, qeveria: “Pasoja direkte në veprimtarinë tonë”. Kuvendi: Cenon ndarjen e pushteteve

Vendimi i GJK

Gjykata Kushtetuese shqyrton sot në seancë publike ankimimin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, lidhur me vendimet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), që kanë vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës për Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Objekti i ankimit është zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe GJKKO-së nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Qeveria kërkon shfuqizimin e vendimeve nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së, duke argumentuar se ato cenojnë garancinë e imunitetit të ministrit, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat që Kushtetuta i njeh organeve që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë.

Gjithashtu, ankimi kërkon pezullimin e efekteve të këtyre vendimeve deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese dhe interpretimin e pikës 3, të nenit 103 të Kushtetutës, në kuptimin që “anëtari i Këshillit të Ministrave, duke gëzuar imunitetin e deputetit, përfiton nga të gjitha garancitë procedurale që i njeh Kushtetuta dhe legjislacioni procedural penal”.

A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër

Gjatë fjalës së saj në seancë, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave deklaroi se GJKKO dhe SPAK pretendojnë se ankimi është i parregullt, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, nuk ekziston legjitimimi i kërkuesit, pasi Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri nuk kanë interes personal,  si dhe nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese apo konflikt interesi. Në përgjigje, përfaqësuesja e Këshillit të Ministrave theksoi se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Sipas saj, kërkesa nuk lidhet me objektin e procedimit penal, masën e sigurimit apo të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkesa ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet pushteteve, duke ngritur pyetjen kryesore: A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër apo çdo zyrtar të pushtetit ekzekutiv?

“GJKO dhe SPAK pretendojnë se kjo është një kërkesë që nuk mund të ngrihet, pasi nuk janë shteruar shkallët e gjykimit për masën e  sigurimit, mungon legjitimimi i kërkuesit  sepse nuk ka interes personal të këshillit të ministrave dhe kryeministrit. Këta të fundit nuk janë palë në gjykimin penal të masës së sigurimit dhe nuk mund të ankohen për të. Nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese  dhe as konflikt interesash.

Në përgjigje të këtyre pretendimeve, sqarojmë se ky nuk është një pretendim kushtetues individual. Kërkimi dhe shkaqet që ngrihen në kërkesë nuk kanë të bëjnë me objektin e procedimit penal, as me nevojën e sigurimit të të pandehurit, as me të drejtat themelore të të pandehurit në procesin penal. Kërkimet kanë të bëjnë me marrëdhënieve mes tre pushteteve dhe në thelb të këtyre kërkimeve qëndron pyetja: A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër njësoj si mund të pezullojë çdo zyrtar të pushtetit ekzekutiv? Ne besojmë se jo, megjithatë argumentet i përkasin themelit të çështjes. Për legjitimimin sqarojmë: Këshilli i Ministrave vjen në këtë gjykim si organ i të cilit i është pezulluar veprimtaria në njërën prej fushave të përgjegjësisë së tij shtetërore: infrastrukturës dhe energjinë”, deklaroi përfaqësuesja e Këshilllit të Ministrave.

Në këtë kontekst, ajo deklaroi se Këshilli i Ministrave dhe Kryeministri kanë legjitimitet për këtë gjykim, pasi pezullimi i ministrit ndikon drejtpërdrejt në funksionimin e fushave të tij të përgjegjësisë (Infrastrukturës dhe Energjisë). Sipas argumentit të përfaqësueses, pezullimi i Ballukut nuk ndikon vetëm në vendimmarrjen e saj brenda ministrisë, por edhe në vendimmarrjen e Kryeministrit për projekt-aktet që kërkojnë propozimin e ministrit të pezulluar.

“Për këtë gjykim kushtetues nuk ka rëndësi fakti që këshilli i ministrave dhe kryeministri nuk janë palë në procesin penal. Sepse legjitimitetit kushtetues buron nga pasojat që sjell masa e sigurimit te veprimtaria e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit dhe jo nga të drejtat e të pandehuritt në procedimin penale”, shtoi ajo.

Përfaqësuesja theksoi se pretendimi i SPAK-ut se kryeministri mund të propozojë vetë projekt-aktet nuk qëndron, pasi ai mund të marrë vendime vetëm për aktet që nuk i përkasin fushës së asnjë ministri dhe janë të përcaktuara shprehimisht me ligj. Ndaj, Kryeministri legjitimohet për t’u angazhuar në këtë gjykim, pasi pezullimi detyron zëvendësimin e ministrit për të garantuar funksionimin normal të ministrisë përkatëse.

Gjithashtu, përfaqësuesja nënvizoi se masa e sigurimit penal sjell pasoja direkte në veprimtarinë e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit. Këto pasoja nuk varen nga statusi i palës në procesin penal, por nga ndikimi i drejtpërdrejtë në funksionimin e qeverisë.

Sa i përket argumentit se duhet të shterohen shkallët e gjykimit për masën e sigurimit, u sqarua se kjo vlen vetëm për ankimin individual të të pandehurit, dhe nuk zbatohet për ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit, të cilët sfidojnë masën për shkak të ndikimit të saj në kompetencat e tyre.

“Së dyti: përsa i përket pretendimet se duhet të shterohen shkallët e gjykimit për masën e sigurimit  kjo vlen vetëm për ankimin individual që bën personi subjekt i maasës, ndërsa është gjë tjetër ankimi që bën Këshilli i Ministrave dhe kryeministri për kompetencat që u cenohen atyre nga kjo masë. Për këtë s’ka asnjë detyrim për t’ju drejtuar shkallëve të tjera të gjyqësorit”, theksoi ajo.

Seanca në Kushtetuese për zv.kryeministren, Kuvendi: Pezullimi është de facto shkarkim. Vendimi i GJKKO, cenon ndarjen e pushteteve

Gjatë seancës, përfaqësuesja e Kuvendit mbajti qëndrimin se vendimi i GJKKO-së është në kundërshtim me Kushtetutën, duke argumentuar se deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e funksionit të tij, as të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. E njëjta mbrojtje, sipas saj, zbatohet edhe për anëtarët e Këshillit të Ministrave, të cilët nuk mund të ndiqen penalisht pa miratimin e Kuvendit.

Përfaqësuesja e Kuvendit argumentoi se mbrojtja e deputetit është e përfshirë në të gjithë kuadrin legjislativ dhe penal, përfshirë edhe Kodin e Procedurës Penale.

“Kuvendi vlerëson se vendimi i GJKKO-së për pezullimin nga ushtrimi i detyrës i zëvendëskryeministres është në kundërshtim me Kushtetutën, pasi anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit sipas ligjit.

Deputeti gëzon imunitet dhe nuk mund të pengohet në ushtrimin e detyrës së tij, si dhe nuk mund të ndalohet apo arrestohet pa pëlqimin e Kuvendit. Po ashtu, anëtari i Këshillit të Ministrave nuk mund të ndiqet penalisht pa miratimin e Kuvendit, siç parashikohet në ligj.

Në Kushtetutë ekziston një dispozitë themelore që garanton funksionimin e pavarur të pushtetit ekzekutiv dhe që anëtarët e Këshillit të Ministrave të gëzojnë imunitetin e deputetit. Kjo barazi nuk është një privilegj personal për individët, por një garanci institucionale që synon të ruajë ekuilibrin kushtetues dhe pavarësinë e pushteteve.

Deputeti nuk mund të arrestohet pa miratimin paraprak të Kuvendit, me qëllim garantimin e pavarësisë funksionale dhe ushtrimin e mandatit pa frikën e ndërhyrjeve të padrejta nga pushteti gjyqësor apo ekzekutiv. Kjo garanci nuk do të ishte e mjaftueshme nëse, edhe pse deputeti nuk arrestohet pa miratimin e Kuvendit, ai mund të pezullohej nga detyra me vendim gjykate. Pezullimi e pengon deputetin të ushtrojë funksionet e detyrës dhe mandatin e tij”, tha përfaqësuesja e Kuvendit.

Sipas Kuvendit, vendimi i GJKKO-së për pezullimin e një anëtari të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në një dispozitë kushtetuese që i jep këtë kompetencë, krijon një precedent ku pushteti gjyqësor ndërhyn drejtpërdrejt në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv.

“Për këtë arsye, mbrojtja e deputetit është përfshirë në të gjithë kuadrin legjislativ dhe penal, duke zbatuar garancitë kushtetuese të parashikuara edhe nga Kodi i Procedurës Penale. Logjika juridike është e qartë: deputeti përfaqëson vullnetin e popullit dhe ushtron një mandat të dhënë nga zgjedhësit. Pezullimi i tij nga detyra do të përbënte një ndërhyrje në këtë mandat dhe do të cenonte pavarësinë e pushtetit legjislativ.

E njëjta logjikë zbatohet edhe për ministrin. Edhe pse ministri nuk zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, ai merr legjitimitetin nga Kuvendi dhe ka natyrë të ngjashme me personat e zgjedhur. Ministrat gëzojnë imunitetin e deputetit dhe mbrojtje të barabartë institucionale mes pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv. Edhe ministrat që nuk janë deputetë gëzojnë imunitetin e deputetit.

Kjo mbrojtje përfshin të gjitha garancitë kushtetuese dhe procedurale që sistemi juridik i njeh deputetit. Vendimi i GJKKO-së për të pezulluar një anëtar të Këshillit të Ministrave, pa u mbështetur në ndonjë dispozitë kushtetuese që ia jep këtë kompetencë, krijon një situatë ku pushteti gjyqësor ndërhyn në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv dhe kompetencat e tij”, tha ajo.

Në përfundim, përfaqësuesja e Kuvendit theksoi se vendimi i pezullimit përbën de facto një shkarkim nga detyra, pasi ndalon pjesëmarrjen e funksionarit në mbledhjet e Këshillit të Ministrave, ushtrimin e kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale.  

 “Në vlerësimin e Kuvendit, ky vendim cenon parimin e ndarjes së pushteteve dhe, nga kjo perspektivë, përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në të drejtat kushtetuese të Këshillit të Ministrave.

Vendimi i pezullimit është de fakto një shkarkim dhe kjo nënkupton faktin se përmes pezullimit ndalohet pjesëmarrja e funksionarit në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, ndalimi i kompetencave dhe marrëdhëniet institucionale. Kur të gjitha këto veprime ndalohen dhe në asnjë mundësi për të ushtruar substancën e këtyre funksioneve është identike me atë të shkrimit edhe pse formalisht quhet pezullim”, përfundoi ajo.