Vendimi i GJKKO për zv.kryeministren, SPAK: Nuk ka konflikt kompetencash, masat e sigurimit janë të ankimueshme
Gjatë seancës publike në Gjykatën Kushtetuese, në shqyrtimin e ankimit të Kryeministrit ndaj vendimit të GJKKO-së për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, përfaqësuesi i SPAK argumentoi se kërkesa nuk përmbush kriteret për një çështje kushtetuese.
Sipas SPAK, vendimet e GJKKO-së për masën e sigurimit personal janë vendime individuale penale, të marra brenda juridiksionit penal, dhe nuk krijojnë konflikt kompetencash mes pushteteve. Për rrjedhojë, kërkesa e Kryeministrit për shfuqizimin e këtyre vendimeve, sipas tij, nuk mund të trajtohet si një mosmarrëveshje kushtetuese.
Përfaqësuesi i SPAK theksoi se kërkuesi nuk mund të përdorë pretendimin për konflikt kompetencash si mjet për të bllokuar hetimin penal ndaj një ministri, pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masave të sigurimit janë kompetenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO-së dhe nuk mund të cenohen nga ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv. Ai argumentoi gjithashtu se masat e sigurimit janë të ankimueshme dhe se legjislacioni parashikon një procedurë të plotë ankimi përmes Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë.
“SPAK vlerëson se kërkesa e kryeministrit për shfuqizimin e vendimeve të GJKKO-së për masën e sigurimit personal të pezullimit nga detyra, nuk paraqet konflikt kompetencash mes pushteteve pais masat e sigurimit janë vendime individuale penale me juridiksion penal dhe nuk krijon konflikt kompetencash.
Vlerësojmë se, kërkuesi nuk mundtë përdorë këtë pretendim për të bllokuar hetimin penal ndaj ministrit pasi ndjekja penale dhe vlerësimi i masës së sigurimit janë kompteenca ekskluzive të SPAK dhe GJKKO dhe nuk mund të cenohen nga ndërhyrjet e pushtetit ekzekutiv.
Masat e sigurimit janë të ankimueshme dhe ekziston një procedurë e plotë ankimi në Gjykatëne Apelit dhe Gjykatën e Lartë”, deklaroi ai.
Sipas SPAK, pretendimet e ngritura mbështeten kryesisht në interpretime të Kushtetutës dhe ligjit, pa u provuar ekzistenca e një marrëdhënieje juridike konkrete të cenuar, e cila të ketë sjellë pasoja të rënda juridike. Në mungesë të një marrëdhënieje të tillë, nuk mund të konstatohet ekzistenca e një konflikti real kompetencash.
Duke iu referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, SPAK theksoi se një konflikt kompetencash ekziston vetëm kur dy pushtete pretendojnë ushtrimin e të njëjtës kompetencë konkrete, e cila i përket vetëm njërës palë. Në rastin konkret, sipas SPAK, nuk ka një ndërveprim të tillë mes Gjykatës Penale dhe Kryeministrit, pasi marrëdhëniet e tyre burojnë nga sfera të ndryshme kushtetuese.
Në përfundim, SPAK vlerësoi se në këtë çështje nuk identifikohet asnjë element që mund të përbëjë objekt kontrolli kushtetues dhe se kërkesa e Kryeministrit duhet të konsiderohet e papranueshme.
“Në këtë çështje pala kërkues nuk legjitimohet si subjekt procedural për të aktivizuar kontrollin e GJK pasi kërkuesi nuk është subjekt i drejtpërdrejtë i procedimit penal, nuk ka provuar një interes personal, aktual dhe kushtetues me pasoja të pariparueshme e për rrjedhojë, shkaqet e ngritura nuk krijojnë bazë kushtetuese të pranueshme për shtimin nga kjo gjykatë.
Në vlerësimin tonë, pretendimet e kërkuesit bazohen kryesisht në interpretim të kushtetutës dhe ligjit pa u provuar ekzistenca e një marrëdhënie juridike konkrete të cenuar që të ketë sjellë pasoja të rënda juridike.
Po ashtu, nuk konstatohet ekzistenca e një konflikti kompetencash e për rrjedhojë mungon një çështje kushtetues reale pasi qëndrime të ndryshme interpretuese në mungesë të një marrëdhënie juridike konkrete, nuk janë të mjaftueshme për të ngritur një çështje me objekt kushtetues. GJK ka vendosur qartë se për ekzistencën e një konflikti kompetencash duhet që të burojë nga një marrëdhënie konkrete mes pushteteve që pretendojnë se ushtrojnë një të njëjtën të drejtë që i takon vetëm njërit.
Në rastin konkret nuk ka një ndërveprim të tillë mes Gjykatës Penale dhe Kryeministrit.
Marrëdhënie e pretenduar nga Kryeministri buron ekskluzivisht nga Kushtetuta, që do të thotë që kemi dy marrëdhënie të ndryshme për dy pushtete të ndryshme dhe nuk mund të pretendohet për konflikt kompetencash.
Gjykata Kushtetuese ka sqaruar në jurisprudencën e saj se: Çdo pushtet ka kompetencat e veta dhe çdo organ ka pushtet të mjaftueshëm për të vepruar në mënyrë të pavarur.
Në rastin konkret mosmarrëveshja e pretenduar nuk lind mes pushteteve që ushtrojnë të njëjtën sferë kompetencash sikurse gjykata kushtetuese ka sqaruar në jurisprudencën e saj një mosmarrëveshje që paraqitet përpara kësaj gjykate duhet të ketë natyrë kushtetuese që do të thotë jo vetëm subjektet e përfshira duhet të jenë ato që njeh kushtetuta por dhe kompetenca e pretenduar e cenuar duhet të jetë e qartë dhe e përcaktuar si e tillë.
Në çështjen në fjalë nuk identifikohet asnjë element i tillë që mund të përbëjë objekt kontrolli kushtetues”, përfundoi ai.
