Vendi ynë drejt një tregu energjetik më të integruar, rishikohet ligji i energjisë elektrike

tregu energjetik

Në kuadër të angazhimeve të saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe Komunitetin e Energjisë, Shqipëria po ndërmerr një hap thelbësor në reformimin e sektorit të energjisë elektrike.

Një projektligj i ri synon të rishikojë Ligjin ekzistues nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (LSE), duke përfshirë dispozita nga Paketa e Energjisë së Pastër e Bashkimit Evropian (EU CEP). Ky përafrim legjislativ synon të krijojë një treg energjetik më konkurrues, transparent dhe të orientuar drejt konsumatorit.

Qëllimet kryesore të projektligjit

Objektivi madhor i këtij projektligji është harmonizimi i LSE-së me katër aktet ligjore kryesore të BE-së që përbëjnë CEP-in:

Direktiva e energjisë elektrike (BE) 2019/944 (riformuluar)

Rregullorja e energjisë elektrike (BE) 2019/943

Rregullorja e gatishmërisë ndaj rrezikut (BE) 2019/941 (riformuluar)

Rregullorja ACER (BE) 2019/942

Këto ndryshime synojnë të kontribuojnë në:

Sigurinë e energjisë, solidaritetin dhe besimin, duke garantuar një furnizim të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike.

Krijimin e një tregu plotësisht të integruar të energjisë, duke lehtësuar tregtinë ndërkufitare dhe duke rritur konkurrencën.

Dekarbonizimin e ekonomisë, duke nxitur kalimin drejt një sistemi energjie me kosto efikase dhe sasi të ulët karboni, bazuar kryesisht në burime të rinovueshme.

Rritjen e rolit të konsumatorit, duke i dhënë konsumatorëve mundësinë të marrin pjesë aktivisht në treg dhe të përfitojnë nga çmime më transparente dhe të përballueshme.

Inovacionin dhe efikasitetin, duke mbështetur teknologjitë e reja si depozitimi i energjisë, menaxhimi dixhital i të dhënave dhe elektromobiliteti.

Projektligji adreson mangësitë e LSE-së aktuale, e cila nuk ishte e përshtatshme për ndryshimet e shpejta në sektorin e energjisë, veçanërisht rritjen e gjenerimit të decentralizuar dhe nevojën për më shumë fleksibilitet. Ai synon të krijojë një mjedis ligjor që mbështet modelet inovative të biznesit, si ndarja e energjisë peer-to-peer, përgjigja ndaj kërkesës së tregut, dhe shfaqjen e pjesëmarrësve të rinj si komunitetet e qytetarëve të energjisë dhe agregatorët.

Ndryshimet kryesore të propozuara

Projektligji përfshin ndryshime thelbësore në disa pjesë të LSE-së:

Dispozitat e Përgjithshme (Nenet 1-3) ku zgjerohet qëllimi dhe objekti i LSE-së për të përfshirë aktivitete të reja si agregimi, depozitimi i energjisë, operimi i pikave të rikarikimit dhe menaxhimi i të dhënave. Gjithashtu, shtohen dhe rishikohen përkufizime të reja për të reflektuar terminologjinë e BE-së (p.sh., klienti aktiv, operatori i nominuar i tregut të energjisë elektrike, komuniteti i qytetarëve të energjisë).

Politikat e sektorit të energjisë elektrike (Neni 4), ku reflektohen rregullat evropiane dhe kombëtare për vlerësimin e mjaftueshmërisë së burimeve, duke i dhënë Ministrisë përgjegjësinë për këtë vlerësim.

Siguria e furnizimit (Neni 6/1), ku shtohet një nen i ri për të vendosur rregulla dhe përgjegjësi për planifikimin dhe menaxhimin e gatishmërisë ndaj riskut, duke caktuar Ministrinë si autoritetin përgjegjës.

Mandati i bordit, ku shtohen dispozita për të ruajtur funksionalitetin e bordit të ERE-s në rast vonesash në emërimin e anëtarëve të rinj.

Objektivat dhe Përgjegjësitë, ku zgjerohen objektivat dhe përgjegjësitë e ERE-s për të përfshirë mbikëqyrjen e ndërveprueshmërisë, ofrimin e informacionit për klientët, zgjidhjen jashtëgjyqësore të mosmarrëveshjeve, bashkëpunimin me ACER, dhe monitorimin e planeve investuese të operatorëve të rrjetit.

Lidhur me tarifat e rrjetit, ku rishikohet kuadri i përcaktimit të tarifave të rrjetit, duke theksuar trajtimin jodiskriminues të depozitimit dhe agregimit të energjisë.

Sa i përket menaxhimit të të dhënave, shtohen rregulla dhe parime të përgjithshme për menaxhimin dhe shkëmbimin e të dhënave të klientëve fundorë, me fleksibilitetin për t’i dhënë përgjegjësinë ERE-s ose një autoriteti tjetër.

Licencimi i aktiviteteve të reja lidhet me funksionimin e objekteve të depozitimit të energjisë përfshihet si një aktivitet që kërkon licencë. ERE mund të lëshojë licenca për operimin e pikave të rikarikimit dhe agregimit, ose të përcaktojë kushtet administrative për ndjekjen e tyre pa licencë.

Përjashtime nga licencimi. Në këtë pikë shtohet një dispozitë që lejon përjashtime nga detyrimi i licencimit të furnizimit në rast të rishitjes së energjisë elektrike dhe ndarjes së energjisë elektrike.

Mekanizmat e kapacitetit, ku vendosen rregulla të reja për mekanizmat e kapacitetit, duke përfshirë përjashtime për prodhimin me origjinë nga karburantet fosile dhe përcaktimin e një vlerësimi të ngarkesës së humbur nga Ministria.

Lidhur me Operatorët e Sistemit të Transmetimit (OST) dhe Shpërndarjes (OSSH) harmonizohen rregullat e ndarjes me funksionimin e hapësirave të depozitimit të energjisë nga OST. Krijohet bazë ligjore për transferimin e pronësisë së tokës nën shtyllat e transmetimit të OST-së. Shtohen përgjegjësi shtesë për OST-në, si p.sh. leja nga ERE për kryerjen e veprimtarive të tjera.

Përputhshmëria dhe hapat e ardhshëm

Projektligji është planifikuar për miratim në Këshillin e Ministrave dhe është pjesë e Planit Kombëtar të Integrimit Evropian. Ai është hartuar në përputhje të plotë me Kushtetutën e Shqipërisë dhe legjislacionin ndërkombëtar të ratifikuar.

Zbatimi i këtij ligji do të kërkojë rishikimin dhe përshtatjen e shumë akteve nënligjore ekzistuese nga ERE dhe Këshilli i Ministrave, duke përfshirë rregulloret për licencimin, tarifat, dhe certifikimin e operatorëve. Këto ndryshime do të mbështesin zhvillimin e një tregu energjie më modern, fleksibël dhe të integruar, duke kontribuar në objektivin afatgjatë të dekarbonizimit të ekonomisë shqiptare dhe përmirësimit të standardeve të jetesës.