Velipoja rimerr bukurinë / Nga grykëderdhja e Bunës deri në Vilun, dhjetëra punonjës largojnë mbetjet e vërshimeve
Ndërmarrja e Shërbimeve Publike në Bashkinë Shkodër, ka nisur prej tre ditësh aksionin për pastrimin e bregdetit të Velipojës, nga mbetjet e shumta të sjella nga vërshimi i lumenjve.
Ky aksion po zhvillohet në një sipërfaqe të gjerë, nga Grykë derdhja e lumit Buna deri në zonën e Vilunit, me qëllim përmirësimin e pastërtisë dhe ruajtjen e mjedisit.
Drejtori i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Altin Salihi u shpreh se në këtë aksion janë angazhuar dhjetëra punonjës, si dhe mjete dhe kamionë të posaçëm për largimin e mbetjeve.
Salihi i bën apel qytetarëve dhe bizneseve të tregojnë kujdes për mjedisin, veçanërisht për bregdetin, i cili pret vizitorë në fundjavë edhe tani në stinën e dimrit.
Pastrimi po kryhet në mënyrë intensive në gjithë vijën bregdetare dhe do të vijojë deri në pastrimin e plotë të zonës.
Autoritetet bëjnë me dije se puna do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me qëllim mirëmbajtjen e plazhit gjatë gjithë sezonit veror dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për turistët.
