Velipoja në fokusin e TRT World / Media publike turke reportazh për fenomenin e erozionit

Velipoja, një nga perlat e bregdetit verior shqiptar, po përballet me një alarm serioz mjedisor: atë të avancimit të detit drejt tokës.
Kjo situatë është bërë objekt i një reportazhi të posaçëm nga televizioni publik TRT World në Turqi, i cili hedh dritë mbi përmasat e rrezikut që po kanos bregun verior të Shqipërisë.
Në reportazh thuhet se deti përparon çdo vit me rreth 5 metra drejt tokës në këtë zonë, duke ndikuar jo vetëm në zhdukjen e ishullit të Franc Jozefit, por edhe duke rrezikuar biodiversitetin unik të deltës.
“Kjo është një nga zonat më të ndjeshme të Shqipërisë përballë ndryshimeve klimatike. Humbja e ishullit të Franc Jozefit është një sinjal i fortë se ne jemi vonë në masat parandaluese,” shprehet profesori i Gjeografisë në Universitetin “Luigj Gurakuqi” Ervis Krymbi në intervistën për TRT World.
Pamjet ajrore të publikuara në reportazh tregojnë humbjen e ishullit të Franc Jozefit teksa dallgët përplasen mbi atë që dikur ishte tokë e rrethuar nga deti.
Reportazhi i medias publike turke ngre alarmin se Velipoja dhe zona të tjera përreth rrezikojnë të humbasin jo vetëm plazhet, por edhe funksionin turistik dhe ekologjik që ato kanë.
Në përfundim, TRT World i bën thirrje institucioneve shqiptare të ndërhyjnë me investime konkrete për mbrojtjen e ekosistemeve bregdetare, sidomos në zonat si delta e Bunës, ku pasojat e ndryshimeve klimatike janë tashmë të dukshme dhe të dhimbshme.