Vaksinë HPV dhe për djemtë, për herë të parë në Kalendarin Kombëtar, bluzat e bardha fushata informimi

Vaksinë HPV dhe

Që nga fillimi i vitit 2026, vaksina kundër HPV-së do të aplikohet edhe për djemtë 13-vjeçarë. Edhe në Kukës, kjo vaksinë është e disponueshme në të gjitha qendrat shëndetësore.

Denisa Duraku, shefe e Epidemiologjisë pranë NJVKSH Kukës, tregon mbi rëndësinë e marrjes së kësaj vaksine.

“Është në programin e vaksinimit në vendin tonë që prej vitit 2022. Është aplikuar deri më tani tek vajzat e moshës 13-vjeçare”, tha Duraku.

Ndërkohë, që nga fillimi i fushatës së vaksinimit të vajzave 13-vjeçare, Njësia e Kujdesit Shëndetësor në Kukës ka zhvilluar vazhdimisht informim dhe ndërgjegjësim për prindërit, proces që tashmë është zgjeruar edhe për djemtë 13-vjeçarë, me synim rritjen e mbulimit të vaksinës.

Nga janari i këtij viti, vaksina do të aplikohet edhe tek djemtë e kësaj grupmoshe. Është parë e arsyeshme që të aplikohet edhe tek djemtë, pasi edhe ata mund të infektohen me këtë virus dhe gjithashtu janë transmetues.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, që nga viti 2022 janë vaksinuar në total rreth 46 mijë vajza kundër Human Papilloma Virus, ndërkohë që dozat e vaksinës për mbulimin e mbi 18 mijë djemve që këtë vit mbushin 13 vjeç janë shpërndarë tashmë në qendrat shëndetësore në të gjithë vendin.