Ura e Matit e mbyllur prej 6 muajsh, vonesa në punime si pasojë e prurjeve të shumta të lumit

Ura e Matit e mbyllur

Ura mbi lumin Mat, në rrugën nacionale Lezhë–Milot, vijon të jetë e mbyllur. Edhe pse riparimi i saj nisi në tetor të vitit të shkuar me qëllim që ura të ishte gati në fund të vitit, punimet ende nuk kanë përfunduar.

Shkak janë bërë prurjet e shumta të lumit Mat pas reshjeve të shiut në fillim të janarit, të cilat kanë vështirësuar punën dhe kanë ridëmtuar sërish dy prej këmbëve të urës.

Banorët e zonës dhe drejtuesit e mjeteve kërkojnë një zgjidhje për situatën e krijuar tashmë prej gjashtë muajsh, pasi mbyllja e urës, sipas tyre, ka sjellë vështirësi të shumta në lëvizje.

Për rikonstruksionin dhe përforcimin e urës së Matit është akorduar një fond emergjent me vlerë 107 milionë lekë.

Aktualisht janë kryer rreth 80% e punimeve, por ende nuk ka një afat se kur ura mund të hapet për qarkullimin e automjeteve.

Ura është ndërtuar në vitin 1982 dhe ka një gjatësi prej 844 metrash, duke u konsideruar një prej urave më të gjata në vendin tonë.