Ul siparin “Memorial Vllaznia 2025” – Pjesë e eventit edhe 3 ndeshje të boksit profesionist nga “Fists of Fire”

memorial vllaznia

Turneu Ndërkombëtar i boksit “Memorial Vllaznia 2025” ka ulur siparin me ndeshjet finale të së dielës në pallatin e sportit “Qazim Dervishit”, të cilat keni patur mundësi t’i ndiqni përmes transmetimit direkt të RTSH Shkodra.

Memoriali ka hyrë në traditën e Shkodrës, në përkujtim të 14 figurave të njohura të boksit që nuk jetojnë.

Finalja e peshës deri në 65 kg mund të konsiderohet më e bukura, ku fitues doli Kristian Bala i Shqipërisë që mundi italianin Krug Mansor Tarik.

Në peshën deri në 75 kg, përballë ishin dy shqiptarë, Jurgen Tahiri dhe Besian Karaj, ku rivaliteti ishte i fortë deri në fund dhe juria ia akordoi fitoren këtij të fundit.

Kampionët individual të këtij turneu u shpallën edhe Mauro Cani i Shqipërisë për peshën 55 kg, Tomislav Dinoviç i Malit të Zi pesha 60 kg, Millosh Roganoviç, Mali i Zi pesha 70 kg, Pietruszka Muciej i i Polonisë, pesha 80 kg, Elvis Selmani i Shqipërisë pesha +90 kg.

Më pas, radha ka qënë për tre ndeshjet profesioniste, të organizuara nga “Fists of Fire” dhe promotori Mondi Ndou, të cilat kanë nisur me çiftin e femrave Julian Igel – Zvicer  dhe Ana Reyes- Kolumbi, takim ky  i fituar që në raundin e dytë me nokaut teknik nga zviceriania Igel, e cila në renditjen botërore mban vendin e 43-të.

Më pas, në ring janë ngjitur njëri pas tjetrit, dy boksierët shqiptarë, tiranasi Alban Beqiri dhe shkodrani, Senad Drini, dy duele këta që morën vemendjen e tifozërisë së pranishme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, ku u shpall fitues sportisti kuqezi.

Dueli i tretë profesionist, që mbyllin aktivitetin, ishte ai në mes shkodranit Senad Drini dhe gjermanit Aro Shwartz, ndeshje kjo e vlefshme për kategorinë e peshës 76 kg.

 Fitore për Senad Drinin, e teta radhazi në profesionizëm pa asnjë humbje me renditjen botërore i 129-ti.