U plagos, por nuk dëshmoi të gjithë ngjarjen – Blutë e Shkodrës vënë në pranga të riun Arens Beqiri

policia arrestohet

Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Shkodër në vijim të punës  për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 23.12.2024, bënë arrestimin për veprën  penale “Moskallëzimi i krimit“ të shtetasit të plagosur  Arens Beqiri 24 vjeç.

 Ky shtetas, gjatë veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, nuk dha deklarime të plota në lidhje me rrethanat dhe autorin e plagosjes së tij në këmbë me armë zjarri.

Në vijim të veprimeve, policia ka  shpallur në kërkim shtetasin  E. Sh., 22 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, i cili dyshohet se ka plagosur nga pakujdesia shokun e tij Arens Beqiri.

 Policia vijon punën për kapjen e autorit të ngjarjes, ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.