Turistët e huaj në Shkodër – Në fokus kalaja dhe muzetë, vlerësojnë mikpritjen

turistet kala

Grupe turistësh të huaj i ndesh në Shkodër çdo ditë.

 Në fokus mbetet kalaja Rozafa dhe muzetë.

Pamja magjepse që të ofrohet nga kalaja, për shkak të pozicionit në të cilën ndodhet, është edhe një ndër arsyet që turistët e huaj kanë zgjedhur ta vizitojnë.

“Kam ardhur nga Polonia për të vizituar Shqipërinë.

Për mua është hera e pare. E njoha këtë vend përmes disa miqve. Më sugjeruan Shkodrën,  por edhe qytete të tjera të Shqipërisë.

 Direkt, sapo mbërrita në Shkodër, ndalova për të vizituar kalanë bashkë me miqtë e mi.

Dua të them se ju karakterizon mikpritja.

-Për herë të parë po e vizitoj Shkodrën. Jam i lumtur që jam këtu, ndihem i surprizuar nga gjithçka në vendin tuaj, është shumë bukur.

Na pëlqen pamja që të ofrohet, ushqimi shumë i shijshëm si dhe njerëzit shumë të mirë, na kanë mikpritur”, shprehen turistët.

Kalaja e Shkodrës ka pozicion të atillë që nuk tërheq vetëm për vlerat e trashëgimisë historike, por edhe për peizazhet fantastike që mund të shihen prej saj me liqenin dhe luginën e Bunës. Ajo është një nga destinacionet më të rëndësishme turistike, e cila është vlerësuar jo vetëm nga historianët e kohës, por dhe nga udhëtarët e shumtë, jo vetëm për historinë që mbart, por dhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave të një populli, i cili ka një histori të hershme.