Trupat evropiane në ishullin arktik – Lëvizja vjen pas dështimit të takimit SHBA- Danimarkë- Groenlandë
Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se vendi i tij po merr pjesë, me kërkesë të Danimarkës, në stërvitjen e përbashkët ushtarake në Groenlandë së bashku me Gjermaninë dhe vendet nordike. “Personeli i parë ushtarak francez është tashmë në ishull.
Të tjerë do të shkojnë pas tyre”- tha shefi i Elizesë. Vendosja e trupava vjen mes tensioneve në rritje brenda NATO-s, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump përsëriti të mërkurën pretendimet territoriale mbi Groenlandën, një territor autonom danez, duke argumentuar se është jetike për sigurinë amerikane. Deklaratat e tij kanë alarmuar aleatët evropianë dhe kanë krijuar kaos në marrëdhëniet transatlantike.
Gjermania tha se po dërgonte një ekip zbulimi prej 13 anëtarësh në Nuuk. Ministria gjermane e Mbrojtjes tha se misioni i zbulimit në Groenlandë nga disa anëtarë evropianë të NATO-s synon t’u kundërvihet kërcënimeve ruse dhe kineze në Arktik. Suedia dhe Norvegjia po marrin pjesë gjithashtu me trupa.
Vendet evropiane njoftuan vendosjen e trupave menjëherë pasi një takim mes zyrtarëve amerikanë, danezë dhe të Groenlandës në Uashington dështoi të zgjidhte mosmarrëveshjen themelore mbi ishullin, që Trump thotë se duhet të vihet nën kontrollin amerikan. Zëvendëskryeministri i Groenlandës, Mute Egede, tha se ushtarët e NATO-s pritet të jenë më të pranishëm në ditët në vijim, me fluturime dhe anije ushtarake, duke e cilësuar këtë lëvizje si stërvitje.
Misioni, i njohur si Operacioni Arktik i Qëndrueshmërisë do të zgjasë deri të shtunën. Ndërkohë Kryeministrja e Danimarkës Mette Frederiksen nënvizoi se qëllimi i Shteteve të Bashkuara ndaj Groenlandës mbetet i pandryshuar. “ Kjo është padyshim një çështje serioze dhe për këtë arsye ne po vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar që ky skenar të mos realizohet “- deklaroi Frederiksen.
