Trump vendos zgjatjen me 1 vit të Emergjencës Kombëtare në Ballkanin Perëndimor
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka zgjatur urdhrin ekzekutiv për Emergjencën Kombëtare të shpallur në Ballkanin Perëndimor edhe për një vit tjetër. Vendimi është publikuar në Regjistrin Federal dhe pritet t’i transmetohet Kongresit, ku kërkohet që urdhri ekzekutiv të vazhdojë të jetë në fuqi përtej 26 qershorit 2025.
Në dokument shkruhet se situata anë Ballkanin perëndimor vijon të jetë e paqëndrueshme dhe se mund të përbëjë “një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm” për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
“Veprimet e personave që kërcënojnë paqen dhe përpjekjet ndërkombëtare për stabilizim në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë aktet e dhunës ekstremiste dhe aktivitetit obstruksionist, dhe situata në Ballkanin Perëndimor, e cila pengon përparimin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimit të plotë në institucionet transatlantike, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara. Për këtë arsye, emergjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219, sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 13304, i cili u zgjerua në fushëveprimin në Urdhrin Ekzekutiv 14033, dhe sipas të cilit u ndërmorën hapa shtesë në Urdhrin Ekzekutiv 14140, duhet të vazhdojë në fuqi përtej 26 qershorit 2025. Prandaj, në përputhje me seksionin 202 (d) të Aktit të Emergjencave Kombëtare (50 USC 1622 (d)), unë po vazhdoj për 1 vit emergjenca kombëtare e shpallur në Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor”, thuhet në dokument.
Urdhri ekzekutiv u firmos fillimisht më 26 qershor të vitit 2001 nga ish-Presidenti George W. Bush, i cili shpalli një emergjencë kombëtare në lidhje me Ballkanin Perëndimor, referuar kryesisht situatës në Maqedoninë e Veriut, shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit në Bosnje dhe Hercegovinë, apo Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Presidenti më pas e ndryshoi atë urdhër në Urdhrin Ekzekutiv 13304 të 28 majit 2003, për të ndërmarrë hapa shtesë në lidhje me veprime të caktuara që pengojnë zbatimin, ndër të tjera, të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit të vitit 2001 në lidhje me Maqedoninë e Veriut. Më 8 qershor 2021, Presidenti nënshkroi Urdhrin Ekzekutiv 14033, i cili zgjeroi fushëveprimin e emergjencës kombëtare të shpallur.
