Trump takon presidentin e përkohshëm sirian, Damasku feston heqjen e sanksioneve

Trump takon presidentin e

Presidenti amerikan Donald Trump, ndodhet në Arabinë Saudite në vizitën e tij të parë në mandatin e dytë, ku gjatë ditës së sotme (14 maj) do të takohet me udhëheqësin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa.

Ky takim vjen  një ditë pasi Trump njoftoi se do të heqë sanksionet e vendosura gjatë sundimit të ish-diktatorit Bashar al-Assad.

Trump do të fluturojë më pas për në Doha për pjesën e dytë të udhëtimit të tij katër-ditor, ku pritet të takohet me Emirin e Katarit.

Presidenti tranzitor i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, mori zyrtarisht pushtetin një muaj pas rënies së shpejtë të regjimit të Asadit në dhjetor.

Forcat e tij udhëhoqën koalicionin e grupeve militante në një fushatë të shpejtë që rrëzoi regjimin brutal që sundoi kombin e shkatërruar nga lufta për dekada të tëra.

Më parë, ai ishte një komandant i al-Kaedës, por që atëherë i ka ndërprerë lidhjet me grupin. Kur mori këtë rol, al-Sharaa theksoi se qeveria e re e Sirisë përballej me një “detyrë të rëndë dhe një përgjegjësi të madhe”.

Pas përmbysjes së Bashar al-Assad, 90% e popullsisë së Sirisë mbeti nën kufirin e varfërisë – dhe një pjesë e dhunës vazhdoi me përleshje midis fraksioneve të armatosura islamike, forcave të sigurisë dhe luftëtarëve nga pakica fetare Druze.

Gjithashtu, në mars pati vrasje masive të qindra civilëve nga komuniteti pakicë alavit në rajonin bregdetar perëndimor, gjatë përleshjeve midis forcave të reja të sigurisë dhe besnikëve të Assadit.

Lëvizja e SHBA-së për të hequr sanksionet dje është pritur pozitivisht në Siri – dhe takimi midis al-Sharaa dhe Presidentit të SHBA-së Donald Trump do të jetë hera e parë që udhëheqësit e SHBA-së dhe Sirisë takohen që nga viti 2000.

Kjo mund të përfaqësojë një shkrirje të mëtejshme të marrëdhënieve midis dy vendeve – pasi SHBA-të hoqën një shpërblim prej 10 milionë dollarësh (7.9 milionë paund) për arrestimin e al-Sharaa në dhjetor, pas takimeve diplomatike.