Trump refuzon deklaratën e G7-ës për uljen e tensioneve mes Izraelit dhe Iranit

Në Kanada janë mbledhur shtatë fuqitë e mëdha ekonomike të globit dhe agjenda e diskutimeve është përqendruar te sulmet e fundit në Lindjen e Mesme.
Prestigjiozja amerikane CNN duke cituar burimet e saj njofton se Presidenti Donald Trump nuk ka ndërmend të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët që bën thirrje për uljen e tensioneve midis Izraelit dhe Iranit, të hartuar nga udhëheqësit e G7.
Draft-deklarata, e cila ishte udhëhequr nga zyrtarët evropianë në samitin e vendeve kryesore të industrializuara, thotë se Izraeli ka të drejtë të mbrohet dhe se Irani nuk mund të pajiset me armë bërthamore.
“Nën udhëheqjen e fortë të Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara janë rikthyer në udhëheqjen e përpjekjeve për të rivendosur paqen në të gjithë botën. Presidenti Trump do të vazhdojë të punojë për të siguruar që Irani të mos mund të pajiset me armë bërthamore”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me planet e Trump kur bëhej fjalë për deklaratën e përbashkët.
Vendimi i Trump për të mos e nënshkruar deklaratën krijon një përçarje të menjëhershme me homologët e tij përpara se samiti të fillojë në Malet Shkëmbore Kanadezë.