Trump përgënjeshtron Macron: Nuk e lashë samitin e G7 për armëpushimin Izrael-Iran

Trump përgënjeshtron Macron

Presidenti Donald Trump ka përgënjeshtruar deklaratën e homologut francez Emmanuel Macron për të, duke thënë se ai ishte larguar më herët nga samiti i G7-ës për të punuar mbi një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit.

Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump thotë se Macron “gaboi”, duke sqaruar se largimi i tij nuk kishte të bënte me armëpushimit.

“Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington. Por sigurisht që nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Shumë më tepër se kaq.“, tha Trump.

Presidenti amerikan nuk dha detaje mbi arsyet e largimit të tij, por e përfundoi postimin me “Qëndroni të lidhur!”

Duke folur në samitin e G7 në Alberta mbrëmjen e së hënës, presidenti francez tha se largimi i Trump ishte pozitiv, duke pasur parasysh objektivin për të arritur një armëpushim midis Iranit dhe Izraelit.

“Vërtet ka një ofertë për t’u takuar dhe për të shkëmbyer mendime. U bë një ofertë posaçërisht për të arritur një armëpushim dhe më pas për të nisur diskutime më të gjera“, u tha Macron gazetarëve.