Trump fjalim para kombit – Theksoi arritjet ekonomike dhe kritikoi paraardhësin Biden për kaosin e trashëguar

trump para kombit

Presidenti Donald Trump u premtoi amerikanëve një bum ekonomik në një fjalim drejtuar kombit të mërkurën, ndërsa fajësoi paraardhësin demokrat Joe Biden për çmimet e larta që kanë goditur popullaritetin e tij. “ Njëmbëdhjetë muaj më parë trashëgova një katrastrofë dhe tani po e rregulloj”- tha 79-vjeçari gjatë fjalës së mbajtur nga Shtëpia e Bardhë në fund të vitit të tij të parë në pushtet.

Trump këmbënguli se çmimet e benzinës dhe ushqimeve që i kanë shqetësuar më së shumti  amerikanët po bien me shpejtësi dhe sipas tij kjo nuk ka mbaruar ende.  Në një njoftim të papritur, republikani tha se anëtarët e shërbimit ushtarak të Shteteve të Bashkuara do të marrin secili nga një çek me vlerë 1776 dollarë nga të ardhurat e mbledhura nga tarifat.

 “1 milion e 450 mijë anëtarë të shërbimit ushtarak do të marrin para Krishtlindjeve një shpërblim të veçantë, që ne e quajmë ‘Dividend i Luftëtarit’” – bëri me dije Trump, duke shtuar se kjo shumë ishte në nder të vitit të themelimit të Shteteve të Bashkuara, 250-vjetorin e të cilit vendi do ta festojë vitin e ardhshëm. 

Pagesat arrijnë në total në rreth 2.5 miliardë dollarë nga të ardhurat e administratës nga tarifat prej mbi 200 miliardë dollarësh të këtij viti, por është e paqartë se si administrata do t’i përvetësojë fondet pa miratimin paraprak nga Kongresi. Trump vijoi të mbrojë politikat e tij ekonomike duke u shprehur se vendi është gati për një bum ekonomik që bota nuk e ka parë kurrë, pasi në 2026 Shtetet e Bashkuara do të bashkëorganizojnë Kupën e Botës në futboll bashkë me Kanadanë dhe Meksikën. Gjatë fjalimit të tij prej 18 minutash, presidenti nuk u ndal tek politika e jashtme, por përmendi vetëm armëpushimin në Gaza.

Demokratët reaguan ashpër pas fjalimit të presidentit, ndërsa senatori Chuck Schumer që tha në një deklaratë se Trump thjesht tregoi se jeton në një flluskë krejtësisht të shkëputur nga realiteti që amerikanët po shohin dhe ndiejnë çdo ditë. “Faktet janë se çmimet po rriten.

Papunësia po rritet. Dhe nuk ka asnjë zgjidhje në horizont”-, shtoi ai.  Fjalimi i Trump vjen në fund të një viti të trazuar, në të cilin ai ka shfaqur në mënyrë të paprecedentë pushtetin e tij presidencial, duke përfshirë një goditje ndaj migracionit dhe shënjestrimin e kundërshtarëve politikë.