Trump: Evropa të përqendrohet te lufta e Rusisë me Ukrainën dhe jo te Groenlanda
Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar se Evropa duhet të përqendrohet te lufta ruso-ukrainase në vend të Groenlandës.
Në një intervistë telefonike me NBC Neës, Trump kritikoi liderët evropianë që po kundërshtojnë përpjekjeve të tij për të marrë kontrollin mbi Groenlandën.
“Evropa duhet të përqendrohet te lufta me Rusinë dhe Ukrainën, sepse, sinqerisht, shihni çfarë u ka sjellë kjo. Kjo është ajo ku duhet të përqendrohet Evropa – jo te Groenlanda”, tha Trump.
Kur u pyet nëse do të vendoste tarifa ndaj vendeve evropiane nëse nuk arrihet marrëveshje për Groenlandën, Trump u përgjigj: “Po, 100%”.
Presidenti amerikan refuzoi të komentojë nëse do të përdorte forcë ushtarake për të marrë ishullin, duke thënë thjesht: S’kam koment.
Në të njëjtën intervistë, Trump hodhi poshtë idenë se Norvegjia nuk ka ndikim në dhënien e Çmimit Nobel për Paqe: “Norvegjia e kontrollon plotësisht atë, pavarësisht çfarë thonë ata.”
Më herët, Bloomberg raportoi se Trump i kishte dërguar një letër kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, ku lidhte deklaratat e tij për Groenlandën me faktin që nuk i ishte dhënë Çmimi Nobel për Paqe (ku ai pretendon se ka “ndaluar 8 luftëra” dhe tani nuk ndihet më i detyruar të mendojë “vetëm për paqen”).
Më 17 janar, Trump shpalli futjen e tarifave ndaj disa vendeve që kundërshtojnë qëndrimin e tij për Groenlandën – fillimisht 10% nga 1 shkurti 2026, me mundësi rritjeje deri në 25% (vendet e prekura: Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda, Mbretëria e Bashkuar).
Në përgjigje, Danimarka ka dërguar pajisje ushtarake dhe një njësi të avancuar në Groenlandë për të përgatitur ardhjen e forcave më të mëdha dhe ushtrimeve të aleatëve.
Disa vende të tjera kanë dërguar trupa për ushtrime ushtarake atje.
Kjo situatë ka rritur tensionet brenda NATO-s, me paralajmërime se veprime të forta mund të dobësojnë aleancën transatlantike.
Trump e paraqet çështjen si prioritet sigurie kombëtare për të kundërshtuar ndikimin rus dhe kinez në Arktik, ndërsa liderët evropianë e quajnë “shantazh ekonomik” dhe shkelje të ligjit ndërkombëtar.
