Trump do të takohet me drejtuesit e naftës për Venezuelën të premten
Presidenti Donald Trump pritet të zhvillojë një takim të premten në Shtëpinë e Bardhë me drejtues ekzekutivë të kompanive amerikane të naftës, për të diskutuar planet e hyrjes në Venezuelë dhe mundësitë për shpime të reja.
Në takim do të marrin pjesë edhe Sekretari i Energjisë Chris Wright dhe Sekretari i Brendshëm Doug Burgum.
Ky takim shihet si një hap i rëndësishëm drejt përmbushjes së synimit të Trump që kompanitë amerikane të rigjallërojnë prodhimin e naftës bruto venezueliane, i cili ka rënë ndjeshëm për shkak të krizës politike dhe sanksioneve. Kompanitë e naftës pritet të kërkojnë garanci sigurie dhe një afat kohor politik për rivendosjen e një qeverie demokratike në Karakas, përpara se të angazhohen financiarisht.
Takimi vjen vetëm pak ditë pas arrestimit të Nicolás Maduro-s nga ushtria amerikane dhe pas njoftimit të Trump se SHBA do të shesë miliona fuçi naftë venezueliane të sekuestruar nga kompania shtetërore PDVSA. Ndërkohë, zyrtarë amerikanë dhe venezuelianë po zhvillojnë negociata për rifillimin e eksporteve të naftës bruto drejt rafinerive amerikane, duke e larguar atë nga tregu kinez.
Sipas Reuters, rafineritë amerikane në Gjirin e Meksikës janë në gjendje të përpunojnë naftë bruto të rëndë nga Venezuela. Para se Uashingtoni të vendoste për herë të parë sanksione energjetike, ato importonin rreth 500 mijë fuçi në ditë.
Venezuela ka aktualisht miliona fuçi nafte të grumbulluara në cisterna dhe depo magazinimi, të cilat nuk ka arritur t’i dërgojë te blerësit për shkak të bllokadës së vendosur nga Donald Trump në mesin e dhjetorit.
Kompania shtetërore e naftës PDVSA është detyruar tashmë të ulë prodhimin për shkak të embargos, pasi kapacitetet e magazinimit po shterojnë. Nëse PDVSA nuk gjen një rrugë për eksportin e naftës, do të detyrohet ta reduktojë prodhimin edhe më tej.
