Trump bën bilancin e 1-vjetorit të mandatit të dytë: Mbyllëm kufijtë, tani drejt Davos

Trump bën

Një vit pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump doli mbrëmjen e sotme para gazetarëve për të prezantuar bilancin e 12 muajve të parë të mandatit të dytë. Me një dosje të trashë në duar dhe një listë të printuar për mediat, Trump e cilësoi këtë periudhë si një vit me “365 fitore”. Para se Presidenti të merrte fjalën, stafi i tij shpërndau një dokument ku listoheshin arritjet.

Goditja në Minesota

Trump u ndal gjatë te operacionet e fundit të zbatimit të ligjit. Ai pretendoi se në Minesota, agjencia e imigracionit (ICE) ka arrestuar 10,000 banorë pa dokumente, të cilët i etiketoi në bllok si “kriminelë”.

Ai mbajti lart fotografi të personave të arrestuar, ndonëse mbetet e paqartë nëse të gjithë të arrestuarit kanë dënime penale apo thjesht mungesë dokumentacioni qëndrimi.

I pyetur për situatën në Venezuelë, pas arrestimit të Nicolás Maduro nga forcat amerikane më 3 janar, Trump foli me tone të buta për lideren e opozitës dhe fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado.

“Është një grua tepër e sjellshme. Ndoshta mund ta përfshijmë atë në një farë mënyre,” tha Trump, duke evituar sërish mbështetjen e saj të drejtpërdrejtë si lidere e re e vendit.

Në mbyllje, Trump konfirmoi udhëtimin e tij drejt Zvicrës për Forumin Ekonomik Botëror, duke lëshuar një batutë për tensionet e pritshme me aleatët:

“Jam i sigurt që më presin me shumë kënaqësi në Zvicër,” tha ai.

Presidenti pritet të përballet nesër me liderët evropianë në Davos, ku në tryezë janë kërcënimet e tij për tarifa të reja tregtare.