Trent Aleksander-Arnold i jep lamtumirën Liverpulit

Trent Aleksander

Pas plot 20 vitesh të kaluara në Liverpul ka ardhur momenti për tu larguar. Trent Aleksander-Arnold i ka komunikuar tifozëve vendimin e rëndësishëm nëpërmjet një videojeje të publikuar në rrjetet e tij sociale ku mundohet që të bëjë ndarjen sa më pak traumatike.

“Shumë prej jush mund të kenë pyetur përse nuk kam thënë asgjë deri më tani mbi të ardhmen, por unë vendosa që të bëj diçka të tillë pasi për mua më shumë rëndësi kishte titulli i 20-të i klubit. Ky klub ka qenë jeta ime për 20 vite. Që nga akademia e deri më sot ndihma dhe dashuria juaj s’më ka munguar kurrë. Do të jem përgjithmonë në borxh ndaj të gjithëve”, tha 26-vjeçari.

Siç dihet mbrojtësi anglez nuk ka braktisur ekipin e tij të zemrës pa siguruar më parë një akord me Realin e Madridit, ku pritet që të bashkohet këtë verë me shokun e tij Xhud Belingham.