Tregu i sigurimeve 2025, para sigurimit të detyruar të banesave

banesat sig

Ndërsa sigurimi i detyrueshëm i banesave mbetet ende në fazë projektligji, tregu i sigurimeve po përgatitet për efektet që pritet të sjellë zbatimi i tij.

Të dhënat e fundit të nëntorit  tregojnë se se rritja gjatë ka qenë e qëndrueshme në prag të ndryshimit të rëndësishëm strukturor si ai që shtrihet edhe mbi godinat dhe banesat.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për 11-mujorin janar–nëntor 2025, primet e shkruara bruto arritën në 25.2 miliardë lekë, me një rritje prej 10.2 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kjo përfaqëson një përmirësim të ndjeshëm të ecurisë së tregut, nga 7.3 për qind një vit më parë. Motori kryesor i rritjes mbetet sigurimi i detyrueshëm motorik.

Primet nga ky produkt u zgjeruan me 13.5 për qind dhe zënë tashmë mbi 57 për qind të tregut. Në total, sigurimet e detyrueshme motorike përbëjnë mbi 68 për qind të primeve në tregun e Jo-Jetës.

Rritja lidhet edhe me aplikimin e sistemit të ri të përllogaritjes së primeve, në fuqi që nga fillimi i vitit 2025, i cili merr parasysh faktorë risku si historiku i dëmeve, fuqia motorike, mosha dhe eksperienca e drejtuesit, si edhe vjetërsia dhe përdorimi i mjetit.

Ndërkohë, klasat e tjera të sigurimit mbeten më të dobëta.

Përjashtim bën sigurimi Kasko, me rritje 10.5 për qind, ndërsa sigurimi nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore shënon një rritje modeste prej 4.3 për qind.

Tregu i sigurimeve të Jetës mbetet i vogël, por në rritje me 13.4 për qind, i mbështetur kryesisht nga sigurimi i jetës së debitorit, i lidhur drejtpërdrejt me kreditimin bankar. Projektligji për sigurimin e detyrueshëm të banesave e godinave është në fazë konsultimi publik dhe deri tani parashikimet janë që të përfundojë procedurat parlamentare e të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm.