Tragjedia në Zvicër, flet pronari i lokalit: Ambienti ishte inspektuar disa herë, gjithçka sipas standardeve
Hetimet mbi ngjarjen tragjike në Zvicër, ku të paktën 40 persona humbën jetën dhe 119 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një zjarri në një lokal, vijojnë.
Një nga pronarët e barit Le Constellation, ku shpërtheu zjarri në natën e Vitit të Ri, ka reaguar për mediat zvicerane duke mbrojtur protokollet e sigurisë së vendit. Ai ka deklaruar se lokali ishte inspektuar “tre herë në 10 vjet” dhe se gjithçka ishte bërë sipas standardeve të kërkuara.
Pronari theksoi se ambienti kishte kaluar kontrollet e nevojshme dhe shtoi se mbeten të angazhuar për të ndihmuar në sqarimin e shkaqeve të ngjarjes.
Ky reagim vjen ndërkohë që autoritetet zvicerane po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të zjarrit dhe për të verifikuar nëse materialet e përdorura në tavanin e lokalit kanë qenë në përputhje me rregulloret e sigurisë.
Sipas autoriteteve, fishekzjarrët e vendosur mbi shishet e shampanjës, shumë pranë tavanit të ulët prej druri, dyshohet se kanë qenë shkaku i zjarrit.
