Tragjedia në Liqenin e Shkodrës, Bashkia vlerëson aktin heroik të kapitenit Arben Anamali, i cili humbi jetën duke shpëtuar 2 turistë
Një akt heroik por me fund tragjik ka ndodhur të martën pasdite në Liqenin e Shkodrës. Kapiteni i anijes turistike të Bashkisë Shkodër, Arben Anamali, 51 vjeç, është mbytur gjatë përpjekjes për të shpëtuar dy turistë që kishin rënë në ujë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër njoftoi se rreth orës 16:32 u mor informacioni nga Salla Operative për ngjarjen. Fatmirësisht, turistët kanë shpëtuar dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore, ndërsa kërkimet për gjetjen e trupit të kapitenit Anamali vazhdojnë intensivisht.
Shërbimet e Policisë kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Homazhe nga Bashkia e Shkodrës
Bashkia e Shkodrës ka shprehur ngushëllimet për familjen Anamali përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar sakrificën e heroike të kapitenit.
“Bashkia Shkodër humbi një nga njerëzit e saj më të përkushtuar, kapitenin e anijes turistike, Arben Anamali, i cili humbi jetën gjatë një akti heroik për të shpëtuar dy turistë që po rrezikoheshin të mbyteshin në liqenin e Shkodrës. Një akt humanizmi, por fatkeqësisht me një fund të hidhur,” theksohet në njoftimin e Bashkisë.
Mesazhi vijon duke vlerësuar kontributin e tij: “Arbeni ishte gjithmonë në shërbim të vizitorëve dhe turistëve, duke dhënë kontributin e tij me pasion dhe përkushtim deri në momentin e fundit të jetës.”
Akti i Anamalit shërben edhe si një kujtesë për rrezikun me të cilin përballen shpesh profesionistët e shërbimeve si dhe nënvizon përkushtimin e tyre për sigurinë e të tjerëve.
