Tirana pret Asamblenë e SEECP, Hasani: Integrimi në BE, jo vetëm objekti politik, por vizion i përbashkët strategjik

Në kuadër të Presidencës të Shqipërisë në Tiranë po zhvillohet sesioni i XII i Asamblesë Parlamentare të Evropës Juglindore, një ngjarje e rëndësishme që paraprin Samitin e ardhshëm të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, që do të mbahet më 16 qershor po në kryeqytetin shqiptar.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani theksoi rëndësinë e këtij samiti si një moment kyç për riafirmimin e përkushtimit të përbashkët drejt një Evrope Juglindore paqësore dhe të integruar në BE.
“Samiti i ardhshëm i krerëve të shteteve dhe qeverive të procesit të bashkëpunimit të Evropës Juglindore që do mbahet në Tiranë më 16 qershor do të jetë një moment kyç për riafirmimin e përkushtimit të përbashkët. Samiti do të shërbejë si platformë për vizionin tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore paqësore, demokratike dhe të bashkuar. Ne besojmë se zgjerimi i BE mbetet një nga projektet më të suksesshme të paqes për Evropën Juglindore që është më shumë se një objektiv politik, por domosdoshmëri strategjike”, tha Hasani.
Hasani nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian mbetet një nga projektet më të suksesshme për paqen dhe stabilitetin në rajon, duke theksuar se kjo nuk është thjesht një aspiratë politike, por një domosdoshmëri strategjike.
“Rruga drejt anëtarësimit duhet të bazohet në reforma të qëndrueshme dhe forcimin e vlerave themelore. Perspektiva evropiane të mos mbetet vetëm aspiratë politike, por zgjedhje e afirmuar nga shoqëritë tona. Duhet të forcojmë këtë partneritet, të fuqizojmë institucionet demokratike dhe së bashku mund ta bëjmë realitet vizionin tonë të përbashkët për një Evropë Juglindore më të qëndrueshme, më të begatë dhe plotësisht evropiane”, tha ai.
Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), mbetet forumi më i rëndësishëm politik në Evropën Juglindore, që synon bashkëpunim për paqen, sigurinë, stabilitetin, zhvillimin ekonomik, politik e shoqëror të gjithë vendeve të rajonit.