Themelohet Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë
Është themeluar Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë, e para organizatë e këtij lloji që themelohet pas miratimit dhe zbatimit të Reformës në Drejtësi. Sipas njoftimi të Shoqatës, krijimi i saj erdhi pas një procesi të gjerë konsultimesh mes prokurorëve nga të gjithë zyrat e prokurorive në vend. Kjo Shoqatë do të funksionojë si një organizatë profesionale, jofitimprurëse dhe e pavarur.
“Ajo synon të ofrojë një strukturë të qëndrueshme dhe të organizuar, e cila do të shërbejë si një pikë referimi për zhvillimet e rëndësishme, problematikat dhe çështjet që lidhen me statusin dhe funksionin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, Shoqata thekson se misioni kryesor është garantimi dhe mbrojtja e statusit, pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, si dhe promovimi i vlerave dhe rolit të tyre në një shoqëri demokratike dhe shtet të së drejtës.
Ajo do të angazhohet aktivisht në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që prekin sistemin e drejtësisë, përmes dhënies së kontributeve profesionale dhe mbajtjes së qëndrimeve institucionale e publike.
“Teksa sistemi i drejtësisë përballet vazhdimisht me sfida të ndryshme, vlerësohet si e domosdoshme një qasje më aktive dhe e organizuar edhe nga vetë trupa e prokurorëve. Misioni kryesor i Shoqatës së Prokurorëve është garantimi dhe mbrojtja e statusit, pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, si dhe promovimi i vlerave dhe rolit të tyre në një shoqëri demokratike dhe shtet të së drejtës.
Shoqata e Prokurorëve do të angazhohet aktivisht në proceset ligjbërëse dhe vendimmarrëse që prekin sistemin e drejtësisë, përmes dhënies së kontributeve profesionale dhe mbajtjes, sipas rastit, të qëndrimeve institucionale dhe publike. Një rëndësi të veçantë do t’i kushtohet nxitjes së dialogut dhe bashkëpunimit konstruktiv me institucionet shtetërore, shoqërinë civile, mediat dhe aktorë të tjerë”, theksohet në njoftim.
Shoqata përfshin prokurorë nga të gjitha zyrat e prokurorive në vend, të cilët kanë marrë përsipër angazhimin aktiv sipas fushave respektive, ndërsa kryetar i saj në mandatin e parë është zgjedhur prokurori Gezim Spahiu.
