“Territorialja”, Boçi dhe Zhupa: PS të tërhiqet nga ndryshimi i bashkëkryesisë së komisionit. S’jemi këtu për të firmosur ultimatumet e saj

boci 3

Deputetët e Partisë Demokratike, Ina Zhupa dhe Luçiano Boçi, i cili është njëherësh edhe bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, kanë kërkuar në Kuvend tërheqjen e mazhorancës nga projektvendimi për ndryshimet në komisionin lidhur me formulën e përfaqësimit dhe paritetit.

Sipas tyre, ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme nga PS, duke theksuar se “opozita nuk është noter i mazhorancës për të firmosur ultimatumet e saj.”

Zhupa kërkoi që të ketë bashkërendim në komision nga të dy kryetarët dhe të shmangin krijimin e një reforme të dështuar si ajo e vitit 2014.

“Dua të kujtoj mazhorancën që në konferencën e kryetarëve nuk është votuar as për dhe as kundër një vendimi të tillë dhe është marrë vendimi nga kryetari i grupit të PS që kjo të shtohet dhe të diskutojmë për reformën territoriale. Diçka e pavotuar nuk mund të futet për votim në seancën plenare. Se dyti, PD ka qenë gjithmonë e gatshme për të qëndruar në vendimin që ka votuar këtu në Kuvend, bashkërisht për të bërë reformën territoriale. Ju e bëtë njëherë në mënyrë të ngjashme në 2014 dhe e pranoni sot që ka qenë e dështuar. Nëse duam një reformë që i shërben qytetarëve, që ndrojini asaj që kemi votuar në Kuvend për bashkëkryesimin, duke dëgjuar ekspertët dhe marrë këshilla nga KiE dhe duke respektuar Kushtetutën, tërhiqeni atë projektvendim që e keni futur sot për rregullore dhe janë dy bashkëkryetarët që duhet të bashkëbisedojnë për mbledhjet. Nuk mund të ndodhë që PS t’i imponohen PD-së për kur do bëhen mbledhjet, ju doni të vendosni ultimatum. E keni të dështuar predispozitën e PD-së dhe mos votoni në mënyrë të ngjashme për të dështuar ende pa filluar reformën territoriale, sepse pasojat do t’i vuajnë qytetarët”, tha Zhupa.

Nga ana tjetër, Boçi akuzoi mazhorancën për shkelje të procedurave dhe për tentativën e imponimit të vendimeve pa konsensusin e opozitës. Boçi e cilësoi këtë veprim si “turp” dhe theksoi se, nëse PS vazhdon me këtë mënyrë veprimi, do të çojë Parlamentin në kolaps.

 “Është dhënë një ultimatum për një mbledhje dhe do të diskutojmë për këtë çështje në konferencën e kryetarëve. Një mbledhje thirret përmes dakordësisë së bashkëkryesisë së komisionit, por ju e thërrisni me urdhër të një bashkëkryetari, nuk ka dakordësi, kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsultim me dy bashkëkryetarët dhe ju i cilësoni si bojkot. Ku jemi këtu, në pazar? Kjo është e turpshme, dhe më e turpshme ishte ultimatum që u dha në konferencën e kryetarëve. Nëse këtë Parlament do ta çoni në kolaps për ndëshkim të opozitës, bëjeni siç i keni bërë me të gjitha. Anëtarët e një komisioni kërkojnë ndryshimin e komisionit, e kuptoni se ku ka shkuar menduaria? Si mund ta hiqni ju prioritetin, të merrni shumicën? Ne nuk jemi noterët tuaj. Ky Parlament është mbushur me turp dhe me ju, çfarë nuk pritet”, tha Boçi.

PS kishte vendosur ultimatum për PD-në, duke kërkuar që nëse opozita nuk merr pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale më 2 shkurt, do të kërkohej ndryshimi i formulës së përfaqësimit dhe bashkëkryesimit si një mjet për të zhbllokuar punimet e këtij komisioni.