Tentohet krijimi artificial i ADN-së njerëzore. Përparim shkencor apo rrezik?

44babe10-51a8-11f0-8485-7bd50fa63665.jpg

Një projekt novator dhe kontrovers për ndërtimin nga e para të blloqeve ndërtuese të jetës njerëzore ka nisur zyrtarisht, në atë që konsiderohet si përpjekja e parë e këtij lloji në mbarë botën. Deri më tani, ky hulumtim ka qenë temë tabu për shkak të shqetësimeve etike dhe shkencore, përfshirë frikën nga krijimi i të ashtuquajturave “foshnja të dizajnuara” dhe ndikimeve të paparashikuara gjenetike në brezat e ardhshëm.

Projekti, i quajtur Gjenomi Sintetik Njerëzor, mbështetet fillimisht nga një grant prej 10 milionë paundësh i dhënë nga Wellcome Trust, organizata më e madhe bamirëse mjekësore në botë. Qëllimi kryesor është zhvillimi i terapive revolucionare për sëmundje të pashërueshme dhe përmirësimi i cilësisë së jetës gjatë plakjes.

 “Qielli është kufiri. Po shqyrtojmë terapi që mund të përmirësojnë plakjen dhe të na ndihmojnë të krijojmë qeliza rezistente ndaj sëmundjeve, të cilat mund të ripopullojnë organet e dëmtuara si mëlçia apo zemra, madje edhe të forcojnë sistemin imunitar”, u shpreh Dr. Julian Sale nga Laboratori i Biologjisë Molekulare MRC në Kembrixh.

Projekti shënon një hap të rëndësishëm në biologjinë moderne, pasi synon jo vetëm të “lexojë” ADN-në njerëzore, përbërë nga katër blloqe bazë A, T, C dhe G, por edhe ta ndërtojë atë pjesë-pjesë. Synimi final është krijimi sintetik i një kromozomi njerëzor, strukturë që përmban gjenet tona dhe kontrollon zhvillimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e trupit. Megjithatë, jo të gjithë janë entuziastë për këtë zhvillim.

“Na pëlqen të besojmë se shkenca është gjithmonë në të mirën e njerëzimit, por ajo mund të ripërdoret për qëllime negative apo për qëllime lufte”, paralajmëroi Dr. Pat Thomas, drejtues i grupit kritik Beyond GM.

Projekti ngre sërish pyetje të thella mbi kufijtë etikë të shkencës moderne dhe përdorimin e gjenetikës në të ardhmen. Përkrahësit e shohin si një epokë të re në mjekësi, ndërsa kritikët paralajmërojnë për rrugë të rrezikshme që mund të hapen.