Tensione në Detin Arabik, SHBA rrëzon dronin iranian që “sulmoi” aeroplanmbajtësen, Teherani tenton kapjen e anijes tregtare

pentagoni

Situata në Lindjen e Mesme është tensionuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi këtë të martë se forcat amerikane janë detyruar të rrëzojnë një dron ushtarak iranian, pasi ky i fundit iu afrua në mënyrë agresive aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln”.

Incidenti ndodhi në ujërat ndërkombëtare të Detit Arabik, rreth 800 kilometra larg brigjeve jugore të Iranit.

Sipas deklaratës zyrtare të Pentagonit, droni i tipit “Shahed-139” injoroi të gjitha paralajmërimet dhe masat e de-përshkallëzimit të marra nga forcat amerikane. Me një trajektore fluturimi kërcënuese drejt anijes luftarake, droni u asgjësua nga një avion luftarak F-35C, i cili u ngrit nga kuverta e “Abraham Lincoln”.

“Qëllimi i dronit ishte i paqartë, por qasja ishte agresive,” thuhet në njoftim, duke konfirmuar se nuk ka pasur dëme në njerëz apo pajisje nga ana amerikane.

Incidenti i dytë në Ngushticën e Hormuzit

Vetëm pak orë pas rrëzimit të dronit, një tjetër incident u regjistrua në Ngushticën strategjike të Hormuzit. Forcat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) kanë ngacmuar anijen tregtare me flamur amerikan, “Stena Imperative”.

Sipas raportimeve, dy anije të shpejta iraniane dhe një dron “Mohajer” i prenë rrugën anijes tregtare, duke kërcënuar se do të hipnin në bord për ta sekuestruar atë. Ky veprim shënon një rritje të rrezikshme të provokimeve në një nga rrugët më të rëndësishme tregtare të botës.