Tenis/ ATP fut rregullin kundër të nxehtit, mund të çojë në pezullimin e ndeshjeve
Një rregull kundër të nxehtit. Pas polemikave të sezonit të kaluar, ATP ka futur për 2026-ën një rregull, që mund të çojë deri në pezullimin e ndeshjeve, nëse temperatura, lagështia dhe era kalojnë limitet e përcaktuara.
Shoqata e tenistëve profesionistë ka bërë me dije përfshirjen e një protokolli për të nxehtin ekstrem. Rregulli është në fuqi për kompeticionet e femrave. “Doni që ndonjë lojtar të vdesë në fushë?”, – kishte thënë danezi Holger Rune në tetor, në vështirësi gjatë turneut të Shangait, ku temperaturat i kalonin 30 gradët, me nivel lagështie më shumë se 80%.

Tani, “për një mbrojtje më të mirë të lojtarëve që garojnë në kushte ekstreme”, një tenist mund të kërkojë një pushim prej 10 minutash gjatë setit të tretë për t’u freskuar, nëse WBGT, që mat temperaturën, lagështinë dhe erën, shkon 30.1 gjatë dy seteve të para. Ky është shpjegimi i ATP.
Ndeshja mund të ndërpritet, nëse ky tregues kalon 32.2. Rregulli i ri, sipas ATP-së, synon “të mbrojë shëndetin e lojtarëve”, por edhe të “përmirësojë kushtet për spektatorët, arbitrat, mbledhësit e topave dhe ekipin organizator të turneut”.
Deri tani, vendimet në lidhje me kushtet e motit dhe në veçanti me të nxehtin, kanë qenë kompetencë e supervizorit të turneut, në bashkëpunim me stafet mjekësore dhe organizatorët lokalë. Sezoni ATP 2026 fillon më 2 janar në Australi, me “United Cup” (turne për skuadrat kombëtare).
