Telefonata e papritur live! “Ky tekst më kapi për fyti”, Alis zbulon këngën që lindi nga një ëndërr

alis telefonata

Alis prezantohet në Festivalin e Këngës në RTSH për herë të dytë. Pas vlerësimit me çmim të tretë në edicionin e kaluar, këngëtari shkodran vjen në Fest64 me një krijim mjaft të ndjerë.

Në një intervistë për Andri Xhahun në emisionin “Në Radio” ai tregon historinë e krijimit të këngës “Nan”, e cila zë fill me një ëndërr që kishte parë tekstshkruesja Desara Gjini. “Është një histori interesante, një proces ndryshe nga të tjerat. Një natë Desara më tha që ka ndjesinë që do të shkruajë diçka. Çohet të nesërmen dhe më thotë që ka parë një ëndërr ku dëgjonte një zë që thoshte ‘Pashim nan’”, tregon Alis, i cili shprehet se ka krijuar imunitet ndaj teksteve dhe nuk emocionohet lehtë. “Ky tekst më kapi për fyti në sekonda dhe u ula në piano. Vargu i parë që më kapi syri ishte “Ta dish që nana po ju pret” dhe hodha akordet e para. Asnjëri prej nesh nuk ka përjetuar më përpara emocione të tilla”.

Një telefonatë e papritur në studio me Desarën, e cila është edhe e dashura e Alisit, solli dhe përjetimet e vetë tekstshkrueses. “Dje morën një feedback shumë të mirë. Të gjithë na kanë shkruar privatisht por edhe me ripostime dhe komente. E kanë pëlqyer këngën dhe kemi kuptuar që e kanë ndjerë edhe ata po aq sa e kemi ndjerë ne.”

Ajo shprehet se të punosh me Alisin është shumë e lehtë pasi të dy janë të ngjashëm në krijimtari. E pyetur për pritshmëritë që ka nga ky festival, Desara tha: “Më e rëndësishme është që të kapim zemrat e publikut. Që ta ndjejnë këngën po aq sa e kemi ndjerë ne. Kur është bërë demoja e parë, në momentin që e dëgjonim qanim edhe ne. Unë familjen e kam jashtë, deri diku e kam përjetuar dhe vetë tekstin”.

Pas publikimit të këngëve ditën e djeshme Alisi nuk fsheh entuziazmin nga komentet e shumta që ka marrë. “Të them të drejtën nuk e prisja. Pati një përqafim kaq të madh. Isha ulur në divan dhe prisja orën. Nuk kishte ndodhur që në telefon të vinin kaq shumë mesazhe. Publiku e kishte absorbuar në çdo qelizë atë këngë. Nuk e kisha përjetuar asnjëherë këtë ndjesi”.