“Të shqetësuar për tensionet Izrael–Iran”, Begaj pas Samitit të SEECP-së: Konfliktet tregojnë sa shpejt përhapet paqëndrueshmëria

Begaj pas Samitit të SEECP

Presidenti Bajram Begaj gjatë një konference për shtyp së bashku me Presidenten e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe Presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, theksoi se për Evropën Juglindore konfliktet që po ndodhin janë një paralajmërim për brishtësinë e paqes dhe shpejtësinë me të cilën mund të përhapet paqëndrueshmëria.

Në fjalën përmbyllëse të Samitit të SEECP (Procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore) duke folur për zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, Begaj shprehu shqetësim për tensionet mes Izraelit dhe Iranit. Ai propozoi gjetjen e rrugëve drejt paqes përmes angazhimit të palëve në përpjekje diplomatike.

Për Evropën Juglindore këto konflikte janë paralajmërim dhe një kujtesë për brishtësinë e paqes dhe shpejtësinë që mund të përhapet paqëndrueshmëria. Ky konflikt ka pasoja serioze për Lindjen e Mesme e më gjerë. Shqipëria riafirmon të drejtën e Izraelit për sigurinë e tij dhe mbrojtjen e qytetarëve. Ne i bëjmë thirrje Iranit të ndalojë programet bërthamore dhe balistike. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Iranit të përmbushë detyrimet e tij në përputhje me ligjin ndërkombëtar, përfshirë Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore. Shqipëria u bën thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale dhe përpjekje diplomatike për të shtensionuar situatën dhe për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

Në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës, Presidenti Begaj vlerësoi se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm çështje reformash, por edhe çështje e sigurisë evropiane.

Duke u ndalur në proceset e integrimit të vendeve të rajonit, Begaj theksoi: “Shqipëria do të vazhdojë të luajë një rol aktiv dhe të përgjegjshëm në bashkëpunimet rajonale, dhe mbetet e përkushtuar ndaj parimeve të kësaj platforme dhe çështjeve të rëndësishme që lidhen me stabilitetin rajonal, zhvillimin ekonomik dhe reformat drejt integrimit evropian. Ne rikonfirmojmë angazhimin tonë për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë, bashkëpunim rajonal dhe promovim të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit.

Begaj theksoi se Samiti SEECP i mbajtur në Tiranë , inkurajojë përpjekjet për forcimin e stabiliteti dhe prosperitetit përmes bashkëpunimit rajonal dhe integrimit në BE.

Në këtë frymë, motoja e kryesisë sonë, të formësojmë të ardhmen tonë evropiane, udhëhoqi këtë proces reflektimi dhe dialogu. Diskutimet shërbyen për të thelluar dialogun konstruktiv dhe për të riafirmuar përkushtimin tonë ndaj një të ardhme të përbashkët evropiane. Integrimi gradual i vendeve aspirantë në Be është një prioritet kyç jo vetëm për zhvillimin ekonomik të rajonit por edhe për vetë rëndësinë e rajonit të Evropës Juglindore për stabilitetin dhe prosperitetin evropian. Ky proces kërkon reforma të qëndrueshme në fushat e qeverisjes, të sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal. Ndërkohë kur vendet aspirantë përballen me sfida për përmbushjen e standardeve , integrimi mbetet një hap vendimtar drejtë një Evrope më të bashkuar dhe më të sigurt. Vullneti politik dhe angazhimi i ndërsjellë janë të nevojshëm për të ruajtur ritmin e reformave dhe për të rritur besimin në proces. Potenciali i rajonit për zhvillim është i madh, procesi i pranimit në BE është një mjet transformues për nxitjen e paqes, stabilitetit dhe mirëqenies. Anëtarët e nismës SEECP kanë një rol të rëndësishëm në mbështetja të integrimit të vendeve aspirantë për në BE në tregun e përbashkët dhe në zvogëlimin e hendekut ekonomik dhe social të tyre me BE-në. Shumë i rëndësishëm i adresimit të gjithë sfidave, sidomos ulja e pabarazive në zhvillim dhe mangësitë aktuale në infrastrukturë në Evropën Juglindore si dhe arritja e konvergjencës së lidhjes në të gjithë BE. Përparimet e bashkëveprimet rajonale janë të prekshme. Procesi i zgjerimit të BE nuk lidhet vetëm me integrimit ekonomik dhe reformat politike por dhe me forcimin e sigurisë evropiane.

Për këtë arsye, vendet e BE-së duhet të ofrojnë mbështetje politike dhe konkrete për vendet aspirante në BE, në rrugën e tyre të anëtarësimit, në agjendën e reformave duke garantuar që perspektiva e integrimit, të mbetet reale, e prekshme dhe e besueshme për të gjithë rajonin. Shqipëria po ecën me ritme të shpejta drejt integrimit evropian, teksa vazhdojmë t’i qëndrojmë besnikë vlerave demokratike të NATO-s.

Qëllimi ynë është mbyllja e negociatave në 2027 dhe integrimi në 2030. Ne po punojmë intensivisht për të arritur këtë synim madhor dhe kryesimi i SECCP ishte tjetër dëshmi i seriozitetit tonë në rrugëtimin evropian.

04bfc5d7 98d9 4c56 9d72 ec5aa674f17c

Presidentja e RMV: Pengesat e kaluara s’do ta ndalin integrimin

Në fjalën e saj, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, vuri theksin te integrimi më i mirë mes vendeve të rajonit përpara se të pretendohet integrimi i mëtejshëm me BE-në. Ajo tha se vendet e Europës Juglindore nuk duhen parë si një periferi gjeoekonomike.

Bashkëpunimi duhet që të drejtohet përkundrejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe drejt vlerave europiane. Dua të them se pavarësisht pengesave që e kanë ndaluar integrimin tonë, tragjedive dhe përsëritjeve nga e shkuara, unë them se është nevoja të ndryshojmë. Ne si udhëheqës jemi përgjegjës për të ndryshuar narrativën se Ballkani nuk është gati për Bashkimin Europian, sepse kështu ndikojmë fuqimisht pamjen e rajonit.

Sidomos në vendin tim, ne po hasemi me eksode dhe shpopullim. Të rinjtë po largohen nga vendet tona dhe kjo është një tendencë e konsiderueshme, jo vetëm në ekonomi. Mesazhi është që ne nuk duhet të bëhemi një periferi gjeoekonomike. Na duhet të bashkëpunojmë në kuptimin e infrastrukturës, energjisë, digjitalizimit, sepse nëpërmjet bashkëpunimit do të ndërtojmë një rajon më konkurrues. Ne nuk duhet të presim që të respektohemi nëse nuk e respektojmë njëri-tjetrin. Ne e mbështesim integrimin e përbashkët dhe integrimin e tregut tonë në Bashkimin Europian. Sa më të bashkuar të jemi aq më rezistentë do të jemi përballë sfidave. Unë bëj thirrje për një zë të fuqishëm rajonal, që do t’i jepte formë të ardhmes sonë në Europë,” u shpreh presidentja maqedonase.

Presidenti Rumen Radev: Bullgaria mbështet integrimin europian të rajonit

Samiti i sotëm shënon një përfundim të suksesshëm. Falënderoj presidentin Begaj për përpjekjen dhe për dedikimin në bashkëpunimin e zhvillimit tonë. Në mënyrë simbolike Bullgaria merr sfidën e bashkëpunimit të procesit të Evropën jug-lindore. Do të doja të garantojë që ne duke qenë për herë të katërt në kryesi do të zhvillojmë më tej atë që kemi arritur por do të bëjmë më mirë me vizionin, me vendosmërinë për të zgjidhur të gjitha sfidat që has rajoni ynë dhe vendet e tjera. Bashkëpunimi i orientuar nga rezultatet është çelësi që rajoni ynë të zhvillohet si vend i sigurisë, i stabilitetit dhe i përparimit. Për këtë arsye prioritet e kryesisë do të synojnë përshpejtimin e integritetit evropian brenda rajon bazuar në merita, për zhvillim të përshpejtuar dhe sigurisë që është shumë e rëndësishme. Do të doja t’ju garantoj juve që Bullgaria është shteti më i afërt dhe ka dëshirën për të qenë ndihmë. Bullgaria si një anëtare e BE-së mbështet proceset e BE për të gjitha vendet në mënyrë të përgjegjshme, dhe do të jetë një partnere e përgjegjshme për të arritur një të ardhme të përbashkët.