Të drejtat e punonjësve në media, verifikim nga AMA dhe Inspektorati i Punës

ama te drejtat

Inspektorati i Punës dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të punonjësve të medias. Problematikat lidhen më së shumti me anashkalimin e sigurimeve për punonjësit në këtë sektor, shqetësime që u evidentuan gjatë një takimi me drejtuesit e dy institucioneve.

Një tryezë e përbashkët që bëri bashkë Inspektoratin e Punës dhe Autoritetin e Medias Audiovizive nxori në pah shqetësime që lidhen me punëmarrësit, pas ankesave që këta të fundit u kanë adresuar institucioneve. Ndërsa vuri theksin tek ky takim, i pari i këtij lloji, Kryetarja e AMA-së Armela Krasniqi vuri theksin tek rëndësia e kushteve të punës,

“Sot sektori i medias në përgjithësi përballet me sfida të shumta. Janë edhe një sërë problematikash të tjera, ndoshta dhe të trashëguara nga e shkuara, që kërkojnë vëmendjen tonë dhe që lodhet me mungesën e garancive të mjaftueshme për kushtet e punës së gazetarëve. Edhe pse AMA nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta në marrëdhëniet e punës së punonjësve të medias, shpesh marrim sinjalizime nga vetë gazetarët dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile për problematika të tilla si mungesa e kontratave, informaliteti, vonesa të pagesave apo mungesa e sigurimeve shoqërore në disa raste. Të gjitha këto problematike i kemi adresuar dhe ndjekur, por kemi menduar të shkojmë edhe një hap më tej”, tha Krasniqi.

Të dhënat e bëra publike nga Inspektorati i Punës përmes lançimit të platformës “Mira” tregojnë se, vetëm për vitin 2024 u trajtuan 920 ankesa dhe se gazetaria klasifikohet si një nga sektorët me risk të lartë që kërkon inspektim.

“Sa i përket ankesave, Inspektorati i Punës merr 920 ankesa në vit dhe është një trend në rritje. 90 % e këtyre ankesave vjen drejtpërdrejt në kanalet tona. Në 2024 -2025 kemi kryer 135 kontrolle në media, 65 % kanë qenë të planifikuara dhe 35 % janë kontrolle të iniciuara nga denoncime apo ankesa”, tha përfaqësuesi i Inspektoratit të Punës.

Të dhënat tregojnë se ky vit ka patur një rënie të lehtë të informalitetit, ndërsa gjatë takimit u premtua angazhim maksimal i institucioneve për të parandaluar shkeljet.