Tatimet: Tregtarët ambulantë, jo detyrim për të lëshuar faturë. Ministria: Kontrollet për sigurinë, s’janë aksion kundër fermerëve
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Ministria e Bujqësisë kanë reaguar dy ditë pas nisjes së aksionit kombëtar për të sekuestruar produktet bujqësore e blegtorale që shiten pa faturë.
Në njoftimin zyrtar, Tatimet bëjnë me dije se tregtarët ambulantë nuk kanë detyrim për të lëshuar faturë dhe për të mbajtur dokumentacion tatimor për mallrat. Në njoftim ata sqarojnë edhe detyrimet që kanë tregtarët ambulantë.
“Të jetë mbi moshën 16 vjeç; Të jetë i vetëpunësuar dhe të mos punësojë persona të tjerë; Të tregtojë në hapësira publike me leje të lëshuar nga Bashkia përkatëse; Të jetë i regjistruar si ambulant pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore; Të paguajë: Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore; Tarifën për zënien e hapësirës publike; Taksat bashkiake të aplikueshme”, thuhet në njoftim.
Po ashtu edhe Ministria e bujqësisë shkruan se kontrollet për sigurinë ushqimore nuk janë aksion kundër fermerëve, por synojnë formalizimin e sektorit.
“Fermerët nuk janë fajtorë. Ata janë bashkëpunëtorë të rëndësishëm në ndërtimin e një ekonomie të ndershme dhe të sigurt. Qëllimi ynë nuk është të vendosim gjoba, por të krijojmë një sistem ku çdo hallkë e zinxhirit të prodhimit dhe tregtimit të produkteve bujqësore të jetë e pastër, e kontrollueshme dhe në shërbim të qytetarit”, shkruhet në reagimin e Ministrisë.
Ministria e Bujqësisë bën thirrje për bashkëpunim, duke sqaruar rëndësinë që ka ky proces.
“Gjurmueshmëria e produkteve – të dimë ku është prodhuar, si është përpunuar dhe kush e ka tregtuar një produkt. Siguria ushqimore – për të pasur më shumë besim në atë që vendosim në tryezë. Transparencë dhe mbështetje – fermerët që janë të regjistruar dhe të formalizuar kanë akses më të lehtë në subvencione, kredi, programe zhvillimi dhe mundësi për të eksportuar. Ftojmë të gjithë aktorët e zinxhirit agroushqimor të bashkëpunojnë për të ndërtuar një sektor të qëndrueshëm, të kontrollueshëm dhe të sigurt për konsumatorin shqiptar dhe për eksportet shqiptare, që tashmë janë prezente në mbi 80 tregje elitare ndërkombëtare”, përfundon reagimi i Ministrisë.
