Sulmi në Sydney/ Babë e bir udhëtuan në Filipine një muaj më parë, destinacioni i tyre bazë e Shtetit Islamik

Australi-autoret

Dy personat që hapën zjarr në Bondi Beach Sydney duke vrarë 15 persona dhe plagosur më shumë se 40 të tjerë kishin udhëtuar në Filipine muajin e kaluar. Sipas Sky News, 50-vjeçari Sajid Akram dhe djali i tij 24-vjeçar, Naveed, bënë një udhëtim në Filipine para sulmit në Bondi Beach.

Babë e bir mbërritën në Filipine më 1 nëntor dhe u largua më 28 nëntor. Mësohet se Sajid përdori një pasaportë indiane me të mbërritur dhe Naveed një pasaportë australiane.

“Ata deklaruan në hyrje të vendit se destinacioni i tyre përfundimtar do të ishte Davao City në Mindanaon jugore. Ky vend ka qenë i lidhur me ekstremizmin, një vatër terrorizmi dhe i lidhur me ngritjen e Shtetit Islamik”, raporton Sky News. Pas sulmit 50-vjeçari u vra, ndërsa djali i tij ndodhet në spital.