Sulmi ndaj zyrave të KQZ-së në Kosovë, dënohen me 12 vite burg 3 të akuzuarit

Kosovë, dënohen

12 vite burg ka vendosur në total Gjykata Themelore e Prishtinës ndaj tre të akuzuarve për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të 2022-shit.

Gjykata shpalli fajtor duke dënuar me nga 5 vite burg të akuzuarit Millun Millenkoviq – Llunen dhe Aleksandar Vllajiqin, si dhe 2 vite burg Dejan Pantiqin.

Ndërkohë Miomir Vakiq është liruar nga akuzat, pasi nuk është vërtetuar se ka kryer vepër penale.

Prokuroria e Kosovës kishte ngritur aktakuzë në dhjetor të 2023-shit për veprën penale “akt terrorist”.

Sipas aktakuzës, Millenkoviq, Vllajiqin dhe Pantiqi akuzoheshin për sulmin ndaj zyrave të KQZ me bomba dore dhe mjete shpërthyese me qëllim “destabilizimin ose shkatërrimin e strukturave politike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës”.

Sipas prokurorisë, sulmi vuri në rrezik jetët e zyrtarëve të KQZ-së dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Millenkoviq dhe Vllajiq ndodhen në paraburgim, ndërsa Vakiq dhe Pantiq po mbrohen në liri.