Sulmi me tritol në një lokal nate në Greqi, arrestohen 2 vëllezërit shqiptarë

Sulmi me tritol

Policia greke ka vënë në pranga dy vëllezër me origjinë shqiptare, të akuzuar si autorë të një sulmi me tritol në një diskotekë në Athinë, ngjarje kjo e ndodhur në 7 tetor të 2025-ës. Të arrestuarit janë të moshave 40 dhe 32 vjeç.

Sipas autoriteteve, vëllai më i madh rezulton me precedentë të shumtë penalë, përfshirë sjellje të pahijshme, grabitje, plagosje të rënda trupore, falsifikim dhe shkelje të ligjeve për armët. Ndërsa 32-vjeçari akuzohet për vjedhje, mashtrim, kërcënime, fyerje, si dhe shkelje të Kodit Antidoping dhe atij të narkotikëve.

Arrestimi i dy vëllezërve u krye pas një operacioni të koordinuar nga oficerët e Prokurorisë së Zhvatjeve, ditën e djeshme (22 janar).

Me ndihmën e Grupit të Operacioneve Speciale të Ministrisë së Brendshme dhe në prani të një prokurori, forcat e policisë ndërhynë me forcë në banesën ku jetonin, duke arrestuar njërin prej tyre. Vëllai tjetër u gjet i fshehur në një zonë të hapur përreth banesës dhe, sipas policisë, ka kundërshtuar arrestimin duke ushtruar dhunë ndaj efektivëve, por u neutralizua.

Sipas informacioneve zyrtare, dy të dyshuarit kanë pranuar autorësinë e aktit. Njëri prej tyre ka deklaruar se ishte paguar për vendosjen e bombës, por ka refuzuar të zbulojë personin që e porositi, duke pretenduar se kishte frikë për jetën e tij.

Ai ka treguar se bombën e vendosi në një dyqan pranë zonës së “Hilton”, ku kishte shkuar bashkë me vëllanë e tij, duke përdorur automjetin e një gruaje, e cila gjithashtu është arrestuar. Pajisja shpërthyese ishte transportuar në një çantë dhe u aktivizua në distancë pasi u largua nga vendngjarja.

Gruaja e arrestuar akuzohet për bashkëpunim të thjeshtë në shpërthim, prodhim dhe posedim të materialeve shpërthyese dhe ndezëse, dëmtim prone, si dhe shkelje të legjislacionit për armët.