Sulmet ruse me raketat “Oreshnik” në Ukrainë, OKB mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit me kërkesë të Kievit

zelinski

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mblidhet urgjent ditën e hënë, pas kërkesës zyrtare të Ukrainës, në vijim të sulmit rus ku u përdor raketa e re hipersonike “Oreshnik”.

Sipas autoriteteve ukrainase, kjo raketë hipersonike është përdorur vetëm dy herë që nga fillimi i luftës, ndërsa sulmi i fundit përfaqëson, sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Andrii Sybiha, një kërcënim serioz për sigurinë e Evropës, pasi ndodhi pranë kufijve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Ai theksoi se nevojitet një përgjigje e fortë ndërkombëtare ndaj veprimeve të pamatura të Rusisë.

Në letrën e dërguar në OKB nga ambasadori ukrainas Andrii Melnyk, theksohet se Rusia ka arritur një nivel të ri dhe alarmant të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit, duke goditur civilët dhe infrastrukturën kritike në Ukrainë.

Kërkesa e Kievit për mbledhje urgjente u mbështet nga 6 prej 15 anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, konkretisht nga Franca, Mbretëria e Bashkuar, Letonia, Danimarka, Greqia dhe Liberia.

Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përmes zëdhënësit të tij, dënoi sulmet ruse ndaj Ukrainës, veçanërisht ato kundër civilëve, duke theksuar se po shkelet e drejta ndërkombëtare humanitare.