Strasburg- Zgjedhjet e 11 majit dhe Reforma Zgjedhore, debate mes Ballës, Tabakut dhe Bardhit

Debati mbi zgjedhjet e 11 majit dhe nevojën për reformën zgjedhore u zhvendos në Strasburg, në takimin e 19-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit (KPSA) BE-Shqipëri. Ndërsa qeveria shqiptare, e përfaqësuar nga Ministri i Shtetit, Taulant Balla, theksoi gatishmërinë e Shqipërisë për integrimin evropian, opozita ngriti shqetësime mbi menaxhimin e procesit zgjedhor dhe zbatimin e rekomandimeve.
Taulant Balla deklaroi se Shqipëria është “më e përgatitur se kurrë” për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Duke u ndalur te zgjedhjet e 11 majit, ai u shpreh se, sipas opinionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, procesi ishte konkurrues dhe u menaxhua me profesionalizëm.
Megjithatë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kritikoi ashpër SPAK-un, duke theksuar mungesën e rezultateve konkrete në parandalimin e krimeve zgjedhore.
“Nga 20 shkurti 2025, pak para zgjedhjeve e deri në përfundim, rezultoi që jo vetëm prokurorët e SPAK nuk u panë më në terren për krimet zgjedhore por nuk pati asnjë rezultat për të parandaluar krimet zgjedhore,” tha Bardhi.
Ai shtroi pyetjen drejtuar Komisionit Europian: “Na duhen rezultate konkrete apo na duhet të kemi në letër strategji të bukura që qëllimin mund ta kenë pozitiv, por në realitet nuk sjellin asgjë?”
Nga ana tjetër, deputetja Jorida Tabaku theksoi paaftësinë e Kuvendit për të realizuar një reformë të plotë elektorale dhe moszbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it.
“Më vjen keq të them që për 12 vitet e fundit parlamenti nuk ka qenë në gjendje të bëjë një reformë të plotë elektorale dhe ka të bëjë me vullnetin politik,” u shpreh Tabaku.
Por Balla, në përgjigjen e tij, shprehu gatishmërinë për të nisur punën për reformën zgjedhore nga shtatori.
“Ritheksojmë nevojën për të filluar në shtator dhe vijuar me reformën elektorale. Në reformën tjetër duhet të kemi dispozita në kodin elektoral për mënyrën se si zgjidhen anëtarët e Parlamentit Evropian,” tha Balla.
Ky takim dyditor i KPSA-së fokusohet në integrimin e Shqipërisë, me theks të veçantë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Pesë pikat kyçe të diskutimit midis palëve, si pjesë e procesit të integrimit, janë: Të Drejtat e Njeriut, Shteti Ligjor, Ekonomia, Media dhe Pakicat.
Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri mblidhet dy herë në vit, një herë në Tiranë dhe një herë në Bruksel ose Strasburg, me detyrën për të shqyrtuar të gjitha aspektet e marrëdhënieve mes BE-së dhe Shqipërisë, si dhe zbatimin e MSA-së. Rekomandimet miratohen nëse marrin mbështetjen e shumicës së anëtarëve të të dy delegacioneve, atij të Parlamentit Evropian dhe atij të Parlamentit të Shqipërisë.