Stërvitje të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Francës për të forcuar sigurinë detare
Ministria e Mbrojtjes, përmes një postimi sot në rrjetet sociale, ka bërë me dije se ka nisur një bashkëpunim dypalësh mes Francës dhe Shqipërisë me qëllim forcimin e mëtejshëm të sigurisë së Forcave Detare.
“Anija Franceze “FS Bouan” realizoi një vizitë portuale në portin e Durrësit. Në kuadër të bashkëpunimit dypalësh mes Francës dhe Shqipërisë, komandanti i Forcës Detare/Rojës Bregdetare, kundëradmiral Adnand Agastra, priti në një takim zyrtar komandantin e anijes franceze “FS Bouan”, së bashku me atasheun ushtarak të Francës, në Komandën e FD/RB.
Gjatë këtij takimi, u theksua rëndësia e bashkëpunimit në fushën e sigurisë detare, duke u fokusuar në shkëmbimin e përvojave dhe përforcimin e marrëdhënieve mes dy forcave detare.
Gjatë qëndrimit të “FS Bouan” në Shqipëri, do të zhvillohen stërvitje të përbashkëta, të cilat synojnë përmirësimin e aftësive operacionale të efektivave dhe rritjen e ndërveprimit të personelit, duke kontribuar në forcimin e kapaciteteve të përbashkëta dhe në sigurinë detare rajonale”, thuhet në postimin në Facebook.
Pak ditë më parë, ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se në përmbushje të detyrimeve ndaj NATO-s, vendi ynë është i angazhuar për të forcuar sigurinë detare përmes operacioneve të ndalimit detar dhe kërkim-shpëtimit.