Starmer u kërkon falje viktimave të Epstein: Keqardhje që besova gënjeshtrat e Mandelson kur e emërova ambasador në SHBA

Starmer u kërkon falje

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, sulmoi ashpër ish-ambasadorin britanik në SHBA, Peter Mandelson, duke kërkuar të qetësojë zemërimin në politikën britanike.

Ai tha se i vinte keq që i kishte besuar gënjeshtrave të tij para se ta emëronte në postin e diplomatit më të lartë të vendit në Uashington.

“Viktimat e Epstein-it kanë jetuar me trauma që shumica prej nesh zor se mund t’i kuptojnë. Dua t’u them: më vjen keq. Më vjen keq për atë që iu është bërë, më vjen keq që kaq shumë njerëz me pushtet ju kanë zhgënjyer, më vjen keq që u kemi besuar gënjeshtrave të tij dhe e kemi emëruar në atë post.

Kryeministri britanik është nën presion të madh edhe nga ligjvënësit, përfshirë ata të Partisë së tij Laburiste, për shkak të emërimit të Mandelson si i dërguar i Britanisë në Uashington.

Një ditë më parë, ai tha se kishte qenë në dijeni se: “Dihej publikisht që Mandelson e njihte Epsteinin, por askush prej nesh nuk e dinte thellësinë e asaj marrëdhënieje.”

Peter Mandelson dha dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe Partia Laburiste, dhe tashmë po përballet me hetim penal, pasi dokumente të reja të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë treguan se ai mund t’i ketë dhënë informacione shtetërore konfidenciale financierit Jeffrey Epstein gjatë krizës financiare të vitit 2008.