Stani i drogës në Kashnjet, mbyllen hetimet. Prokuroria e Lezhës merr të pandehur vëllanë e deputetit të PS dhe 2 persona të tjerë

Prokuroria e Lezhës

Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen penale nr. 332 të vitit 2024, në lidhje me kultivimin e bimeve narkotike në zonen e Kashnjetit, ku janë marrë të pandehur 3 përsona, mes të cilëve dhe Armando Ndrecës, vëllanë e deputetit të Partisë Socialiste Eduard Ndreca.

Ndaj 30-vjeçarit dhe dy të rinjve të tjerë Armel Nikdukaj dhe Elvis Spellzaj janë ngritur akuzat “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulseve telefonike”.

Seanca paraprake gjyqësore do të zhvillohet në ditët në vijim nga gjyqtari i Lirim Bulica, i cili do të vendosë për kërkesën e prokurorisë. Sipas dosjes hetimore të prokurorisë 3 personat në bashkëpunim me njëri tjetrin kishin përshtatur një stan për kultivimin e drogës, ku nga ky ambient u sekuestruan 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.

Ndërkohë vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Eduard Ndreca, Armando Ndreca është proceduar dhe nga SPAK dhe ndodhet në paraburgim, si i dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacioni “REVANSHI”.